Maqedoni

BDI për raportin e KE-së: Eurointegrimet në bllokadën më të thellë

21.11.2025 16:24

Bashkimi Demokratik për Integrim u deklarua për gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian...

Bashkimi Demokratik për Integrim u deklarua për gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian. Nënkryetari i partisë, Arbër Ademi, tha se në këtë raport, për kapitullin e parë për themelet, Maqedonia e Veriut ka marrë kritikat më serioze viteve të fundit. Në konferencë për media, ai përmendi disa nga pikat për të cilat vendi ka marrë kritika, siç është regresi në sundimin e ligjit, mungesa e përparimit në pavarësinë e gjyqësorit, përfshirë edhe atë financiare, rezultati i keq në luftën kundër korrupsionit, e të tjera.
 
“Raport, i cili për grup-kapitullin e parë “Fundamentals”, përmban kritikat më serioze që ka marrë Maqedonia e Veriut në vitet e fundit. Ky klaster është thelbi i negociatave me Bashkimin Evropian. Ai përfshin demokracinë, sundimin e ligjit, administratën publike, ekonominë dhe prokurimet publike. Pa ecuri në këto fusha, nuk ka negociata, nuk ka kapituj të rinj, nuk ka përparim drejt BE-së. Për fat të keq, raporti konfirmon se qeveria aktuale ka dështuar pothuajse në të gjitha standardet themelore evropiane.”, - u shpreh nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.