Kulturë
Qeveria dhe ITShKSh, Akademi solemne me rastin e Ditës së Alfabetit
21.11.2025 18:50
Sot në Shkup u mbajt Akademi solemne me rastin e Ditës së Alfabetit dhe përvjetorit të ITShKSh-së..

Në organizim të Qeveris së Maqedonisë së Veriut dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u mbajt Akademi solemne me rastin e Ditës së Alfabetit dhe përvjetorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Njëherit me rastin e 18 vjetorit të themelimit të Institutit të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Shqiptarëve në Shkup, iu nda mirënjohje ministrit të asokohshëm të Arsimit Sulejman Rushiti, për kontributin e dhënë në themelimin e Institutit.
“Njëqind e shtatëmbëdhjetë vjet më parë, në qytetin historik të Manastirit, u mbyllën punimet e Kongresit të Manastirit, një nga tri shtyllat e mëdha të identitetit tonë kombëtar, krahas Lidhjes së Prizrenit dhe shpalljes së Kuvendit të Vlorës. Manastiri i vitit 1908 u bë zemra e lëvizjes sonë kombëtare. Klubi ‘Bashkimi’ u shndërrua në qendrën që organizoi kongresin për unifikimin e alfabetit, një akt ky historik i menduar me urtësi dhe vizion nga rilindësit tanë. Në krye të tyre qëndronte Mid'hat Frashëri, personaliteti përjetik që më vonë do të bëhej ideologu më i rëndësishëm i së djathtës shqiptare.”, u shpreh zëvendëskryeministri Arben Fetai.
“Një histori përpjekjesh të paimagjinueshme është edhe unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe që u kurorëzua 117 vite më parë në Kongresin e Manastirit, siç është zhvillimi i letërsisë sonë kombëtare, shtypja dhe botimi i gazetave, revistave e librave në gjuhën shqipe, siç është ngritja e vetëdijes kombëtare, Kongresi i Drejtshkrimit e të tjera, siç është edhe Rilindja jonë, një përpjekje gjigante vetëmohoese e figurave të ndritura që i përkujtojmë me nderim. Të nderuar të pranishëm, ky kremtim i sotëm ka edhe një domethënie tjetër tepër të rëndësishme për institutin tonë: atë të kremtimit të tetëmbëdhjetëvjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, këtij institucioni që bashkë me universitetet janë grehina më e sigurt e dijes dhe e ruajtjes së thelbit.”, u shpreh drejtori i ITShKS-së, Besnik Eminsi.
Ndërsa studiuesi i historisë nga Korça, Niko Kotheri, foli për ekspozitën kongresi dhe shtypshkronja, kushtuar shtypshkronjës tregtare ndërkombëtare Bashkimi i kombit si dhe delegatëve të Kongresit të Manastirit.
“Do të veçoja disa nga botimet e rralla dhe të veçanta të kryetarit të Kongresit të Manastirit, Lumo Skëndo, i njohur me emrin e tij të vërtetë Mid'hat Frashëri. Janë disa botime dhe njëkohësisht dorëshkrimet e tij të cilat vijnë të ekspozuara sot këtu. Njëkohësisht janë edhe disa botime në gjuhët e huaja, kryesisht në frëngjisht, të cilat janë manifestet që ai arriti të ndërtonte për moscenimin e territorit të Shqipërisë gjatë Konferencës së Paqes pas Luftës së Parë Botërore. Pra janë disa botime të cilat i realizoi në Paris dhe në Lozanë të Zvicrës. Për sa i përket figurës tjetër të rëndësishme të kongresist, që ishte At Gjergj Fishta, ai sot ktu vjen i prezantuar me disa fotografi në origjinalin e tyre dhe disa nga botimet e para të tij, përfshirë këtu kryeveprën e tij ‘Lahuta e Malcis’, botimi i parë i vitit 1937, dhe njëkohësisht, një moment ndër më të rrallët për sa i përket edhe delegatëve të tjerë që kanë bërë Kongresin e Manastirit, është se kemi të ekspozuar ndoshta një nga unikalet që mund të kenë mbërritur deri më sot: një disk gramafoni të vitit 1937, ku Gjergj Fishta interpreton dhe reciton me zërin e tij dy prej këngëve të ‘Lahutës së Malcis’.”, u shpreh studiuesi i historisë, Niko Kotheri.
