Komuna e Çairit, manifestim për Ditën e Alfabetit
Programi festiv për Ditën e Alfabetit nuk mungoi edhe në komunën e Çairit....

Programi festiv për Ditën e Alfabetit nuk mungoi edhe në komunën e Çairit. Me këtë rast, kreu i kësaj komune, Izet Mexhiti, tha se gjuha shqipe është ura më e fortë që na lidh me të kaluarën si dhe garanci për të ardhmen. Nxënësit nga nëntë shkollat e komunës së Çairit janë pasqyra më e bukur e idealeve që delegatët e Kongresit të Manastirit i vendosën para 117 viteve.
“117 vjet më parë në Manastir, personalitetet e ditura dhe largpamëse të asaj kohe u bashkuan përtej krahinave, dialekteve dhe bindjeve politike për të vendosur themelet e një alfabeti të unifikuar. Ishte ky një akt vizionar që i hapi rrugë arsimimit, bashkimit dhe zhvillimit kulturor të popullit shqiptar kudo që jeton. Sonte, kur shoh këta nxënës të talentuar nga nëntë shkollat e komunës së Çairit, ndihem krenar që trashëgimia e Manastirit nuk është vetëm histori, ajo është realitet i gjallë që jeton në klasat tona, në librat tona, në punën e mësimdhënësve dhe në përkushtimin e prindërve. Gjuha shqipe është ura jonë më e fortë me të kaluarën, por edhe garancia jonë për të ardhmen. Të gjithë ne kemi detyrimin ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe ta forcojmë atë përmes arsimimit cilësor, kulturës, botimeve dhe përkrahjes së brezave të rinj. Komuna e Çairit ka treguar se investimi në arsim e kulturë nuk është vetëm detyrim institucional, por mision moral dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes.”, u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, tha se Dita e Alfabetit është një ditë e veçantë për gjuhën dhe kulturën tonë.
“Shkolla, si qendër e dijes dhe inovacionit, është vendi ku tradita kulturore dhe arritjet moderne takohen, duke krijuar një mjedis ku historia dhe e ardhmja bashkëjetojnë. Është vendi ku brezat e rinj mësojnë të respektojnë të kaluarën, të vlerësojnë trashëgiminë e gjuhës shqipe dhe të ndërtojnë të ardhmen duke u bërë bartës të dijes, të kulturës dhe të identitetit kombëtar. Në këtë mënyrë, shkolla shërben jo vetëm si një hapësirë për edukim, por edhe si një qendër ku përgatiten brezat që do ta ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën dhe vlerat e kombit tonë për dekadat që vijnë.”, u shpreh zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
Me këtë rast nuk munguan as poezitë dhe pikat artistike të përgatitura nga nxënësit e shkollave të Çairit
