Botë

Samiti i G20 në Johanesburg, në hijen e tensioneve për planin amerikan në Ukrainë

22.11.2025 14:50

Samiti dyditor i G20-s në Afrikën e Jugut filloi nën hijen e bojkotit amerikan...

Samiti dyditor i G20-s në Afrikën e Jugut filloi nën hijen e bojkotit amerikan dhe tensioneve në Ukrainë, ndërsa liderët evropianë në margjina po diskutojnë për planin e paqes të Trumpit. Brukseli paralajmëron se ai nuk duhet të jetë në favor të Putinit.
 
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së kujton se integriteti territorial i Kievit duhet të respektohet në çdo negociatë.
 
“Kriteret për çdo plan paqeje gjithmonë bazohen në vlerat e Kartës dhe të së drejtës ndërkombëtare. Për ne është e qartë se çdo zgjidhje paqësore për Ukrainën duhet t’i respektojë rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme, të cilat në mënyrë të qartë theksojnë se integriteti territorial i Ukrainës duhet të respektohet”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
 
Udhëheqësit evropianë shpresojnë për një bisedë telefonike me presidentin amerikan, i cili refuzoi të marrë pjesë në samit. Trump është i bindur se paqa mes Rusisë dhe Ukrainës është afër.
 
Ai mendon se Kievi duhet ta pranojë propozimin amerikan deri më 27 nëntor. “Dimri do të jetë i ftohtë, Zelensky duhet të nxitojë”, paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë; përndryshe, ai njoftoi se do ta kufizojë ndihmën për vendin.
 
“Kemi një plan. Kemi një mënyrë për të arritur paqen. Ai do të duhet ta miratojë. Do t’i duhet t’i pëlqejë. E nëse nuk i pëlqen, atëherë mendoj se thjesht do të duhet të vazhdojnë të luftojnë dhe në një moment ai do të duhet të pranojë diçka”, theksoi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
 
Zelensky theksoi se Ukraina është nën presion të madh dhe po përballet me rrezikun e humbjes së një partneri kyç ose të dinjitetit. Ai pret të bisedojë së shpejti me Trumpin.
 
“Ky është një nga momentet më të vështira në historinë tonë. Ukraina ndoshta do të duhet të bëjë një zgjedhje jashtëzakonisht të vështirë – ose të humbasë dinjitetin, ose të rrezikojë të humbasë një partner kyç. Ose një plan të rëndë me 28 pika, ose një dimër jashtëzakonisht të ashpër – më i vështiri deri tani – dhe rreziqe shtesë që po afrohen”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Putin shprehet i gatshëm për negociata. Ai beson se propozimi i paqes i Trumpit mund të shërbejë si bazë për një zgjidhje përfundimtare paqësore.
 
“Nëse Kievi nuk dëshiron të diskutojë propozimet e presidentit Trump dhe refuzon ta bëjë këtë, atëherë ata dhe nxitësit e luftës në Evropë duhet të kuptojnë se ngjarjet që ndodhën në Kupjansk do të përsëriten pashmangshëm në zona të tjera kyçe të frontit”, theksoi president i Rusisë, Vladimir Putin.
 
Sipas mediave amerikane, plani i paqes i Trumpit parashikon që Kievi të heqë dorë nga kontrolli mbi Donbasin, por të ruajë pronësinë dhe të marrë qira për të. Krimea, Donjecku dhe Lugansku do të njiheshin si territor rus.
 
Ukraina do të zvogëlonte ushtrinë dhe do të hiqte dorë nga NATO-ja, ndërsa Rusia do të tërhiqej nga territoret e tjera, nuk do t’i sulmonte fqinjët dhe do të garantonte eksportin e grurit. Të gjitha palët do të merrnin amnisti për veprimet gjatë luftës.
 
FITIM KRYEZIU