Maqedoni

Dita e Alfabetit shqip, liderët politik urojnë 22 nëntorin

22.11.2025 14:32

Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova uroi shqiptarët ditën e alfabetit të gjuhës shqipe...

Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova uroi  shqiptarët ditën e alfabetit të gjuhës shqipe, duke e cilësuar si ditë të veçantë, simbol të fuqishëm të përpjekjes për arsimin dhe edukim.
 
“Respekti ndaj gjuhës dhe shkrimit të çdo komuniteti forcon kohezionin shoqëror dhe bashkon shoqërinë multietnike të Maqedonisë. Gjuha shqipe është pjesë e mozaikut të pasur të dallimeve që është një investim për të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët”, thuhet në urimin e Siljanovska-Davkovës.
 
Për kryetarin e kuvendit, Afrim Gashi kjo ditë shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, kur u vendosën themelet e alfabetit të unifikuar, duke i dhënë gjuhës shqipe forcën e përbashkimit dhe identitetit.
 
“Përkushtimi im mbetet i qartë, që gjuha shqipe të trajtohet me dinjitet, barazi dhe respekt në çdo nivel institucional. Për mua personalisht, kjo ditë përfaqëson krenari, ndërsa alfabeti një trashëgimi që mishëron rrënjët dhe aspiratat tona”, ka shkruar Gashi.
 
Nga koalicioni VLEN janë shprehur se Dita e Alfabetit është gurthemeli i identitetit tonë kombëtar si bazë për lirinë politike dhe zhvillimin shoqëror.
 
“Manastiri mbetet zemra e kësaj ngjarjeje historike, simbol i unitetit, dijes dhe përparimit. Në këtë ditë nderojmë sakrificën, urtësinë dhe vizionin e rilindasve tanë, të cilët besuan se gjuha është shtëpia e kombit, dhe se një komb i arsimuar është një komb i lirë”, kanë thënë nga VLEN.
 
Edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka rikujtuar se gjuha bashkon popullin dhe që përgjegjësia jonë për gjuhën tonë është e rëndësisë më të madhe.
 
“Gjuha ruhet, flitet, begatohet e mbrohet me punë, si me themelimin dhe ndërtimin e çerdheve, shkollave, universiteteve, institucioneve, miratimin dhe zbatimin e Ligjit për gjuhën shqipe dhe vënien në përdorim në Parlament, Qeveri, Presidencë, Komuna, e gjetiu”, ka shkruar Ahmeti.
 
Ditën e shkronjave shqipe e kanë uruar edhe udhëheqësit e ASH-së Arben Taravari dhe Zijadin Sela.
 
MERAL ISMAILI