Botë

Rama: njohja e Kosovës, lehtësim për Serbinë; Vuçiq: Kosova, pjesë e Serbisë

27.05.2015 16:52

Shqipëria dhe Serbia duhet ta kthejnë paqen e arritur me shumë sfida ashtu siç kanë vepruar Franca dhe Gjermania...

Është koha kur rruga e BE-së është e pashmangshme dhe projektet ballkanike  udhëtojnë drejt BE-së, aty ku secili individ është i barabartë me tjetrin.
 
Kështu ka deklaruar kryeministri shqiptar, Edi Rama, në konferencën pas takimit të tij me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq.
 
“Sot shqiptarët dhe serbët kanë mundësi historike që ta kthejnë paqen e meziarritur në këtë rajon në një paqe që ia vlen të jetohet. Shqiptarët dhe serbët kemi mundësinë të bëjmë për të mirën e vendeve atë që francezët dhe gjermanët bënë për vetveten dhe Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. Vullneti ynë është i palëkundur për të çuar përpara agjendën e një rajoni pa kufi, ku mes shqiptarëve dhe serbëve të bien barrierat ekzistuese, barrierat që na kanë penguar ta projektojmë së bashku të ardhmen”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Ndërkohë, kreu i Qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiç, pasi ka deklaruar se është krenar që është i pari kryeministër nga vendi i tij që viziton Shqipërinë, i është rikthyer plagës së vjetër serbe.
 
“Serbia e konsideron si pjesë të vetën Kosovën dhe Metohinë dhe nuk do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës”.
 
Edhe kryeministri Rama ka pranuar se kur bëhet fjalë për Kosovën, Tirana dhe Beogradi kanë qëndrime diametralisht të kundërta. 
 
“Jemi në rrugë të mirë për të bërë diçka më shumë. Nuk pajtohemi për të gjitha çështjet, siç është Kosova lidhur me statusin e saj. Ne jemi në bisedime mes dy vendeve”- tha kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
“Nuk kam ndryshuar qëndrim për Kosovën. Bindja ime është se njohja e Kosovës do të ishte një çlirim i madh për Serbinë, por nuk duam të hyjmë më thellë në këtë çështje, pasi ju këtu jeni miq dhe ne respektojmë miqtë dhe të gjitha sensibilitetet”- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Vuçiq, gjatë konferencës është ndalur edhe tek droni që fluturoi në stadiumin e Beogradit, duke thënë se ajo ka qenë motiv politikisht.
 
Mirëpo kryeministri Rama iu është përgjigjur se “Shqipëria e Madhe” nuk është as vizion as projekt e as program i shqiptarëve, pa marrë parasysh se sa drone ngrihen në qiellin serb.
 
Por, tensionet ndërtenike ende janë të nxehta në Ballkan, ka pohuar Rama duke u ndalur edhe në Maqedoni.
 
Kumanova vërtetoi  brishtësinë e paqes në rajon, tha Rama, duke vënë theksin se në Maqedoni është nevojë e patjetërsueshme respektimi i Marrëveshjes së Ohrit.
 
“Ngjarja në Kumanovë vërtetoi dhe njëherë brishtësinë e kësaj paqeje kaq shumë dhe kaq gjatë të ëndërruar në Ballkan dhe për Ballkanin. Duam një Maqedoni të qëndrueshme demokratike dhe pa diskutim, ku Marrëveshja e Ohrit të respektohet në frymë dhe të zbatohet në germë për të siguruar bashkëjetesën e dëshiruar nga të gjithë mes shqiptarëve dhe maqedonasve si dy faktorë të patjetërsueshëm shtetformues”- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Nga kryeministri serb, Rama gjithashtu ka kërkuar që shqiptarët e luginës së Preshevës të trajtohen njësoj sikur serbët e Mitrovicës dhe kur jemi te shqiptarët e Preshevës, Rama ka kërkuar njohje reciproke të diplomave.
 
Në takim mes dy homologëve është biseduar edhe për bashkëpunim ekonomik dhe infrastrukturor.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU