Maqedoni

Moisiu në “Lagjen e trimave”, hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës

27.05.2015 16:56

Ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, sot vizitoi “Lagjen e trimave” në Kumanovë...

Në vizitën e tij me familjarët e kësaj lagjeje që pësuan nga konflikti i armatosur, ai shpreh dyshimet e tij për rrethanat dhe arsyet e vërteta se si ka ndodhur incidenti në Kumanovë.
 
Në emër të të gjithë shqiptarëve ai kërkoi që rasti i Kumanovës të hetohet ndërkombëtarisht dhe në hetim të marrë pjesë edhe Republika e Shqipërisë.
 
“Unë, megjithëse erdha këtu, unë akoma se kam të qartë se si dhe qysh janë zhvilluar veprimet, sepse ende nuk ka asgjë të qartë nga shteti maqedonas, nga forcat dhe dikasteri i caktuar se çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe përse ka ndodhur. Ka vetëm disa njoftime të përgjithshme, në të cilat e ke të vështirë të gjesh konkluzione. Këtu duhet një hetim ndërkombëtar i hollësishëm dhe unë nuk do ta quaj të plotë hetimin në qoftë se nuk do të marrë pjesë edhe Republika  e Shqipërisë në hetim. Ju vërtet jeni shtetas maqedonas, por ju jeni me kombësi shqiptare dhe R. e Shqipërisë e ka për detyrë edhe me kushtetutë të përgjigjet për njerëzit të kombësisë shqiptare që banojnë në vendet e tjera, aq më tepër që ju jeni vend fqinjë”- deklaroi ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
 
Ish presidenti Moisiu është i mendimit se hetimi ndërkombëtar i specializuar dhe i paanshëm mund të garantojë që e vërteta të dalë në shesh për rastin në Kumanovë.
 
Moisiu gjithashtu u shprehu keqardhje familjarëve të cilëve iu janë dëmtuar shtëpitë e tyre.
 
REXHEP QAMILI