Pyetje deputetësh-“Kumanova”, Ibrahimi: Çfarë bën qeveria për “Lagjen e trimave”?; Gruevski: kompensojmë 100% dëmet

27.05.2015 17:17

Ç’farë ka ndërmarrë qeveria për banorët në “Lagjen e trimave” të dëmtuar nga aksioni policor i 9 dhe 10 majit?...

Kjo ishte pyetja e deputetit të PDSh-së, Orhan Ibrahimit, drejtuar kryeministrit të vendit, Nikolla Gruevskit.

Ai përkujtoi kryeministrin se të zhvendosurit maqedonas që nga konflikti i vitit 2001 janë të strehuar në ndërtesa kolektive dhe marrin të gjitha benificionet nga shteti. Për dallim nga këta, banorët shqiptarë të “Lagjes së trimave”, të dëmtuar gjatë aksionit policor, po enden rrugëve, theksoi Ibrahimi.

“Në vend që të numërojmë sukseset, investimet në numra në vendbanimet shqiptare, ne sot i numërojmë të vrarët dhe të plagosurit. Në vend që të hapim objekte infrastrukturore dhe objekte ekonomike për banorët dhe vendbanimet shqiptare, ne ua shkatërrojmë shtëpitë. I lamë pa kulm mbi kokë”- tha Orhan Ibrahimi nga PDSh.

Gruevski pranon se banorët e kësaj lagjeje janë dëmtuar pa fajin e tyre. Për dëmin që u shkaktoi shteti me aksionin policor, banorët do të dëmshpërblehen 100%. Sipas Gruevskit, vlerësimi i dëmit ka përfunduar dhe së shpejti do të bëhet dëmshpërblimi.

“Qeveria mban llogari dhe ndërmerr hapa, me të cilat në tërësi u ndihmohet njerëzve që jetonin në atë lagje, të cilët nuk kanë asnjë faj për ndodhitë atje, ndërkaq pësuan dëme në pronë të luhatshme dhe të paluhatshme. Kemi dhënë ndihmë fillestare, pason dëmshpërblimi, plus qëndrim të përkohshëm në banesa dhe shtëpi të marra me qera, të cilat i mbulon shteti”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.

Sipas Gruevskit, në “Lagjen e trimave” janë dëmtuar mbi 80 shtëpi, ndërsa 16 janë rrënuar në tërësi. Deri tani, banorët thuhet të kenë marrë ndihmën e parë në të holla, nga 100 mijë denarë.

Dëmtimi i “Lagjes së trimave”, e banuar kryesisht me shqiptarë, ndodhi gjatë aksioni policor, ku u vranë 10 shqiptarë, nëntë nga Kosova dhe një nga Maqedonia, të pretenduar se kanë rrezikuar rendin kushtetues të Maqedonisë. Në aksion humbën jetën edhe tetë policë, ndërsa numri i të plagosurve nga të dyja palët ishte shumë më i madh. (Shpëtim Nuredini, TVM2)