Botë
Ukrainë, në Gjenevë bisedime për planin amerikan të paqes
23.11.2025 16:00
Ndërsa afron afati i caktuar nga presidenti amerikan Trump...

Ndërsa afron afati i caktuar nga presidenti amerikan Trump për planin e paqes që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë, në Gjenevë zhvillohen bisedime kyçe midis delegacionit ukrainas të mbështetur nga aleatët evropianë dhe përfaqësuesve të Uashingtonit. Po shqyrtohet propozimi amerikan.
Sekretari i Shtetit, Rubio, i cili është pjesë e delegacionit të SHBA-së së bashku me të dërguarin Vitkof, i ka mohuar pretendimet se korniza 28-pikëshe për paqe është negociuar me Rusinë.
“Propozimi i paqes është hartuar nga SHBA. Ai ofrohet si një kornizë e fuqishme për negociatat në vijim. Bazohet në kontributin e palës ruse, por gjithashtu mbështetet në kontributet e mëparshme dhe aktuale të Ukrainës”, thuhet në deklaratën e Rubio-s.
Plani i paqes parashikon që Ukraina të bëjë lëshime territoriale, të zvogëlojë ushtrinë dhe të heqë dorë nga rruga e saj drejt anëtarësimit në NATO; në këmbim, Rusia do të tërhiqej nga territoret e tjera, nuk do t’i sulmonte fqinjët dhe do të garantonte eksportin e grurit.
Sipas liderëve evropianë, plani përfshin shumë nga kërkesat e kahershme të Moskës, ndërsa ofron garanci të kufizuara sigurie për Kievin.
“Një nga elementet e planit është garancia e sigurisë nga SHBA sipas Nenit 5 – garancia më e fortë që mund të propozohet për të forcuar besimin se ajo që të gjithë përpiqemi të arrijmë këtu është një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme. Por ajo do të jetë e tillë vetëm nëse ekzistojnë garanci sigurie. Dhe nëse kemi parasysh që ajo që është e rëndësishme për Ukrainën, gjithmonë do të përcaktohet nga vetë Ukraina”, u shpreh kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Kir Starmer.
“Në pikëpyetje janë qartësisht sovraniteti i Ukrainës dhe siguria evropiane. Është normale që edhe ukrainasit, edhe evropianët të jenë në tryezë për finalizimin e këtij plani. Kemi vetëm një problem, dhe nuk janë Shtetet e Bashkuara, por Rusia – ajo që e nisi këtë luftë, që refuzoi të pranonte propozimet për armëpushim në shkurt, mars, korrik dhe gusht, dhe që këtë herë nuk ka dhënë asnjë koment nëse do të pranonte një armëpushim tani”, theksoi presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Në një kohë kur Ukraina dhe Perëndimi po dërgojnë sinjale pozitive se plani amerikan mund të shërbejë si bazë për paqe, por se duhet punuar më tej së bashku për ta përforcuar, Trump theksoi se oferta e tij nuk është përfundimtare.
“Jo, as për së afërmi nuk është përfundimtare. Ne duam të arrijmë paqen. Ajo duhej të ishte arritur shumë kohë më parë. Lufta e Ukrainës me Rusinë nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Po përpiqemi ta përfundojmë. Në një mënyrë apo në një tjetër, duhet ta përfundojmë”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Afati i vendosur nga Trumpi, që Ukraina ta pranojë propozimin e paqes deri më 27 nëntor – ka shkaktuar shqetësim në Kiev dhe presion të madh mbi Zelenski-n dhe vendin e tij, të cilët duhet të zgjedhin midis mbrojtjes së sovranitetit ose ruajtjes së partnerit të tyre kyç amerikan dhe mbështetjes së tij.
MERAL ISMAILI
