Nuk miratohet ndihma për Kumanovën, Sela ndërpret bashkëpunimin me VMRO-DPMNE-në
Kreu i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka prishur sot koalicionin lokal në Këshillin e Strugës me VMRO-DPMNE-në...

Arsyeja e prishjes së këtij koalicioni ka qenë pika e rendit të ditës në seancën e sotme të këshillit, ku ky organ do të duhej të votonte ndarje të mjeteve prej 600 mijë denarësh nga Buxheti i Komunës për ndihmë të qytetarëve të “Lagjes së trimave” në Kumanovë. Nga Lëvizja për Reforma theksojnë se mosmarrëveshjet mes tyre kanë ekzistuar edhe më herët.
“Këtu dëshmohet përsëri se bashkëpunimi mes VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së nuk funksionoi, por ndonjëherë duhet t’i thuhet mjaft gjithë atyre përpjekjeve dhe problemeve me të cilat ballafaqoheshim në këshill”- deklaroi kryetari i këshillit, Abdulla Qazimoski.
“Ka munguar bashkëpunimi për nevojat e qytetarëve të Strugës, për investime në Komunën e Strugës dhe obstrukcione të vazhdueshme që përmes ekspoziturës apo degës së VMRO-DPMNE-së së Strugës që i bënë këshillit dhe funksionimit normal të komunës. Kështu që konstatuam bashkarisht se ky bashkëpunim nuk mund të vazhdojë më dhe ne morëm qëndrim që ta ndërpresim”- tha kryetari i Degës së “Lëvizjes për reforma në PDSh”, Syrja Rashiti.
VMRO-ja nuk ka pranuar të votojë për ndihmën për Kumanovën, pasi ka dashur që në paketë të futen edhe familjet e policëve të vrarë dhe të lënduar nga aksioni i Kumanovës.
“Koalicioni ynë nuk ishte kushedi çfarë koalicioni dhe pritej që kjo të ndodhte herët a vonë. Nuk jemi grup këshilltarësh që mbështet gjithçka që i shkon për shtati kryetarit të komunës ose partnerit të koalicionit”- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së në Strugë, Pero Petkoski.
Po derisa VMRO prish koalicionin me lëvizjen e Selës, nuk dihet nëse partner i ri i lëvizjes për reforma do të bëhet LSDM.
“Ai koalicion funksiononte, por për disa interesa të tyre personale nuk na është ofruar ndonjë koalicion i mundshëm dhe nëse ofrohet, për këtë do të bisedojmë brenda partisë sonë”- u shpreh kryetari i LSDM-së-Strugë, Dame Lozhankoski.
Nga Lëvizja për reforma akuzuan se Qeveria Komunës së Strugës brenda dy viteve i ka marrë 1 milion e 200 mijë euro në emër të një borxhi dhe investimi që është kryer në Komunën e Strugës. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
