Botë
Netanyahu: Do ta godasim Hamasin dhe Hezbollahun
23.11.2025 17:32
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se vendi i tij...

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se vendi i tij do të bëjë “gjithçka që është e nevojshme” për ta parandaluar rigrupimin e Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Gjatë javës së kaluar Izraeli ka goditur disa shënjestra në Libanin fqinj, ndërsa ushtria izraelite tha të shtunën se goditi raketahedhës dhe caqe ushtarake të Hezbollahut. Agjencia e mbrojtjes civile në Gazë tha se 21 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në disa sulme ajrore izraelite të shtunën.
Hamasi, grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe fuqi të tjera dhe Izraeli shkëmbyen sërish akuza për shkeljen e armëpushimit të brishtë që është në fuqi që nga 10 tetori. Kryeministri Izraelit Benjamin Netanjahu tha se Hamasi nuk ka pushuar së shkeluri armëpushimin.
“Që kur ka hyrë në fuqi armëpushimi, Hamasi nuk ka pushuar së shkeluri atë dhe ne po veprojmë në përputhje me rrethanat. Ka pasur disa përpjekje nga ana e tyre për të hyrë në territorin tonë përtej vijës së verdhë dhe për të tentuar të dëmtojnë ushtarët tanë. Ne e kemi parandaluar këtë me forcë të madhe dhe gjithashtu jemi kundërpërgjigjur duke shkaktuar një çmim shumë të rëndë. Kjo përfshin shumë terroristë që kemi eliminuar”. “Ne vendosim në mënyrë të pavarur nga çdo faktor, dhe ashtu duhet të jetë. Izraeli është përgjegjës për sigurinë e vet ”, u shpreh kryeminitri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Ushtria izraelite dhe agjencia e sigurisë së brendshme Shin Bet pretenduan se sulmet e së shtunës në Gazë “eliminuan kreun e furnizimit dhe pajisjeve në qendrën e prodhimit të Hamasit”.
MERAL ISMAILI
