Zaev lëshon “bombën” e 34, ka dyshime serioze rreth rastit “Monstra”; Zaev për krizën: Zgjidhje të krizës deri në fund të qershorit
Edhe pse pritej që “bomba” e sotme e LSDM-së të jenë audio-xhirimet me të cilat pretendohet të zbardhet rasti “Monstra”, opozita vendosi sërish të flasë për keqpërdorimet e kryeministrit...

Kreu i LSDM-së tha se rasti “Monstra” do të publikohet shumë shpejt, por, gjithsesi, Zaev u distancua nga shkrimi i gazetës gjermane “Di Cajt”, e cila citonte Zaev të ketë thënë se të dënuarit në rastin “Monstra” janë të pafajshëm dhe padrejtësisht po qëndrojnë në burg.
Zaev sot sqaroi se deklarata e tij është keqinterpretuar nga gazetari, pasi që ai ka shprehur vetëm qëndrimin se ka shumë dyshime dhe mjegull për rastin. Përgjimet për të ashtuquajturin rast “Monstra” do të shpallen shumë shpejt, tha Zaev, pas publikimit të “bombës” 34 me radhë, e cila kishte të bënte me manipulimet dhe marrëveshjet e kundërligjme të kryeministrit, Nikolla Gruevski, në bashkëpunim me ish ministrat dhe ata aktual, si dhe me funksionarë të lartë shtetëror.
“Ndoshta është interpretim i gabuar nga ana e gazetarit. Sigurisht, dyshime të shumta janë të lidhura me këtë rast dhe atë e sqaroj vetë unë edhe në intervistë. Sigurisht, zbardhja e së vërtetës për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smilkovës ose projekti i qeverisë, “Monstra”, do të zbardh një të vërtetë të dhimbshme. Gjithsesi, dyshimet tona janë të mëdha dhe pretendimi ynë nuk është të bëjmë kualifikime, por kur të publikojmë të vërtetën, qytetarët do të kuptojnë se për ç’farë bëhet fjalë”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev , njoftoi se pret që kriza politike në vend të zgjidhet deri në fund të qershorit dhe ftoi në ndihmë BE-në dhe ShBA-në.
"Deri në fund të qershorit pres që e gjithë kjo do të përfundojë, e gjithë kriza politike. Ka sinjale të qarta nga BE-ja dhe ShBA-ja. Do të dërgojnë ndërmjetës të bisedimeve dhe nuk do të lejojnë që të hymë thellë në verë. Është shumë herët për të thënë nëse do të ketë zgjedhje. Por, dikush duhet të na garantojë se Maqedonia do të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike, dhe ky nuk mund të jetë Gruevski. Ne kemi nevojë për një qeveri kalimtare për të na përgatitur për këtë"- theksoi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Në audio-xhirimet e publikuara nga LSDM-ja dëgjohet kryeministri, Nikolla Gruevski, që bind ish ministrin, Mile Janakievskin, të bëjë marrëveshje jashtëligjore. Gruevski thotë që Janakievski duhet të bëjë lëshime për ndonjë biznesmen, mos të shkojë sipas ligjit, sepse kështu duhet të punojë më mirë. Në bisedë me Janakievskin, Gruevski porosit të prishen objektet e teatrit për qëllime të veta. Janakievski thotë që nuk mund të prishen aq lehtë, e Gruevski e urdhëron: nëse nuk është problem politik, do ta rrëzojmë!
Një bisedë që publikoi Zaevi ka të bëjë me korrupsionin e ministrit të ri të Brendshëm, me funksionarët e ri të zgjedhur nga Gruevski. Në një bisedë tjetër dëgjohet Gruevski se si kërkon nga ish ministrja, Jankullovska, të shkatërrojë dokument origjinal nga arkivi i MPB-së, pasi në të përmendet gruaja e presidentit, Gjorge Ivanov. (Sanije Kasami, TVM2)
