Maqedoni

Tetovë, Kasami: Nuk ka punësime fiktive

24.11.2025 14:01

Kasami ka hedhur poshtë dyshimet për punësime fiktive para periudhës së zgjedhjeve...

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka hedhur poshtë dyshimet për punësime fiktive para periudhës së zgjedhjeve, duke siguruar se nuk ka pasur kontrata të tilla në komunë. Kasami thotë se personat në fjalë kanë qenë të punësuar para periudhës parazgjedhore dhe premton se emrat e të gjithë të punësuarve do të publikohen së shpejti në faqen zyrtare të komunës.
 
“Nuk ka punësime fiktive, kontrata në vepër, të cilat kanë qenë të keqpërdorura në të kaluarën. Këto që sot janë, janë të punësuar dhe vijnë me angazhime të plota dhe u shërbejnë qytetarëve të Tetovës. Së shpejti do të jenë në uebfaqe të gjithë të punësuarit në komunën e Tetovës.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Kreu i Tetovës këto komente i bëri teksa shpalosi emrin e Albi Qamilit për zëvendës të tij në drejtimin e komunës. Ky i fundit tha se do vazhdojë të punojë me përgjegjësi të plotë për të gjithë qytetarët e Tetovës pa dallim.
 
“Për mua si kryetar duke pasur parasysh edhe angazhimet e mia, jo vetëm në komunën e Tetovës, por edhe më gjerë do të jetë një krah i fuqishëm dhe një lehtësim që Komunës së Tetovës dhe qytetarëve të saj t’ju shërbejmë pa pasur pengesa dhe vonesa.”, - u shpreh kreu i Tetovës, Bilall Kasami.
 
“Do të kontribuoj për një Tetovë edhe më të mirë, edhe më të zhvilluar, më të pastër dhe funksionale, edhe si këshilltar, por tani më edhe si zëvendës i komunës.”, - deklaroi zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
 
Përndryshe, javën që lamë pas, Komuna e Tetovës e konstatoi, si dhe këshilli komunal, ku me 16 vota për, 11 kundër dhe 1 abstenim për kryesues të këshillit u zgjodh Jusuf Abduli nga  Koalicioni VLEN.
 
VISAR SADIKI