Maqedoni

Gjykimi për Koçanin, dy inspektorët mbeten në arrest shtëpiak

24.11.2025 15:40

Dy inspektorët e dyshuar për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan...

Dy inspektorët e dyshuar për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan mbeten në arrest shtëpiak, pasi gjykata refuzoi ankesën e Prokurorisë Themelore të Koçanit që dy personat të përfundojnë në paraburgim.
 
Inspektorët për kontroll tatimor të Inspektoratit Rajonal të Shtipit u arrestuan në fund të javës së shkuar në një aksion policor. Ata ngarkohen për marrje të dhuratave, pasi i kanë raportuar përgjegjësit e diskotekës “Puls” se kur do të bëhen kontrollet inspektuese. Avokati mbrojtës i njërit të inspektorëve, Draganço Paunov, kërkon që klientit të tij t’i hiqet arresti shtëpiak dhe të mbrohet në liri.
 
“Është e pakuptueshme se si Prokuroria Publike kërkon masa kujdesi për nëntë persona, ndërkaq për vetëm dy të tjerë të kërkohet masa e paraburgimit. Më shqetësuese për mua është se duke parë praktikën gjyqësore mund të shohim një qasje selektive në sigurimin e masave të sigurisë.”, - deklaroi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
 
Ndërkohë për gjetjen e përgjegjësisë po e kërkon edhe Kuvendi. Kryeparlamentari Afrim Gashi stopoi iniciativën e LSDM-së me arsyetimin për ta ripërpunuar. 
 
VMRO kërkon formimin e Komisionit Anketues
 
Ndërkaq mazhoranca VMRO – DPMNE, VLEN dhe Lëvizja “E di” doli me kërkesën për Komision Anketues prej 15 anëtarëve për gjetjen e përgjegjësisë të të gjithë funksionarëve për tragjeditë e mëdha në vend: Koçanin, “Durmo Tursin”, “Besa Transin” dhe Spitalin Modular në Tetovë.
 
“77 nënshkrimet e deputetëve janë dëshmi se ne nuk duam t’i politizojmë këto ngjarje tragjike, por duam të ndihmojmë që personat e përfshirë të arrijnë drejtësinë. Të gjitha pyetjet duhet të përgjigjen, ndërkaq të gjitha rastet të marrin epilog konkret.”, - theksoi deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
 
Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian, Rina Ajdari, tha se do ta shqyrtojnë nismën.
 
“Do të diskutojmë, por ne e kemi thënë në kontinuitet, do ta shohim njëherë çfarë përmban ai material i VMRO – DPMNE-së. Por, qëndrimi ynë ka qenë se do të mbështesim çdo iniciativë për hulumtimin e të gjitha fatkeqësive që kanë ndodhur deri më tani.”, - u shpreh koordinatorja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
 
Në tragjedinë brenda diskotekës “Puls” në Koçan humbën jetën 63 persona, ndërkaq mbi 200 janë lënduar. Në Gjykatën Penale, javën e kaluar nisi gjykimi, ku janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe 3 subjekte juridike.
 
MERAL ISMAILI