Maqedoni
Qendra e re për mbështetje të komunave, kryetarët e komunave miratojnë nismën
24.11.2025 15:53
Komunat tani do të kenë në dispozicion një qendër të re burimore...

Komunat tani do të kenë në dispozicion një qendër të re burimore për mbrojtje dhe zhvillim. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, theksoi se kjo qendër do të forcojë kapacitetet e komunave, do të përmirësojë administrimin lokal dhe shërbimet.
Po ashtu, komunat do të kenë qasje në një sistem për mobilizimin e shpejtë të ekspertëve për ndihmë në realizimin e projekteve.
“Kjo qendër burimore do t’i kanalizojë mjetet e donatorëve, të cilët po hyjnë në RMV e janë të dedikuara për ndihmë dhe mbështetje për zhvillimin e rajonit lokal dhe rajonal, do të propozojë zgjidhje për krijimin e mjeteve digjitale, doracakë konkretë ku kryetarëve të komunave do t’u jepet një koncept dhe mundësi e qartë, ku nga afër do të njoftohen me proceset të cilat i presin.”, - deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të komunave, të shfrytëzojnë kapacitetet e qendrës dhe të punojnë për zhvillimin e komunave.
“Për herë të parë po krijohet kjo formë e këtillë e bashkëpunimit midis pushtetit qendror dhe atij lokal dhe mua më paraqet kënaqësi të madhe. Kjo qendër e re burimore paraqet vlerë e shtuar dhe unë jam i bindur se komunat maksimalisht do t’i shfrytëzojnë kapacitet dhe resurset e kësaj qendre. Unë jam i bindur se komunat do të kenë vlerë të shtuar gjatë kryerjes së punimeve të tyre, do të kenë ku të mbështeten.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Kryetarët e komunave mirëpresin këtë hapë dhe shpresojnë se përmes qendrës burimore për zhvillimin e komunave do të mund t’i përpilojnë dhe realizojnë pikërisht projektet e tyre infrastrukturore më lehtë, që janë më se të domosdoshme për qytetarët.
“Ne kemi nevojë të na mbështesin jo vetëm në logjistikë, por edhe në aspektin e projekteve të ndryshme, në aspektin financiar, të cilat buxheti i komunave është i mangët apo i dobët për t’i realizuar projektet e mëdha. Unë do të flas për Strugën, ku Struga ka nevojë për të bërë projekte të mëdha, të cilat janë të domosdoshme në pjesën e projekteve të ujit dhe kanalizimit.”, - theksoi kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.
“Po pres që kjo qendër do të ndihmojë shumë në standardizimin e procedurave, të cilët i udhëheqim nëpër komuna, në trajnimin e kuadrit komunal dhe para së gjithash në dhënien e shërbimeve më të mira komunale për qytetarët.”, - u shpreh kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Mitevski.
“Nga kjo qendër burimore pres që të kemi bashkëpunim të mirë dhe kjo qendër të na mundësojë linkun mes komunave dhe pushtetit qendror, që të na lehtësojë më shumë punën në drejtim të zhvillimit dhe përpilimit të projekteve që kanë të bëjnë me komunat për të zhvilluar edhe komunën tonë.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Studeniçanit, Ejup Abazi.
“Kjo qendër për ne ka rëndësi të madhe, pasi që në këtë mënyrë do të mund t’i zhvillojmë komunat në atë nivel siç ne dëshirojmë. Përmes kësaj qendre burimore do të na mundësohet t’i plotësojmë dhe përmirësojmë të gjitha dobësitë që i kemi në kuadër të komunave, e sidomos në aspekt të punës mentoriale, realizimit të disa trajnimeve dhe mbështetje gjatë përpilimit të dokumentacioneve.”, - theksoi kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stevkovski.
Ky projekt, i mbështetur nga UNDP dhe Zvicra, u miratua nga Qeveria në gusht për krijimin e një qendre burimore për mbështetjen e zhvillimit të komunave.
Qendra do të ofrojë shërbime të specializuara në menaxhimin administrativ, planifikimin e zhvillimit lokal dhe rajonal, përgatitjen e dokumentacionit teknik, menaxhimin financiar, forcimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe ndihmën në aplikimin për projekte dhe fonde.
REXHEP QAMILI
