Integrimi i vendit, rritet euroskepticizmi tek të rinjtë

24.11.2025 15:54

Mungesa e besimit në sistemin gjyqësor...

Mungesa e besimit në sistemin gjyqësor, mosluftimi i korrupsionit dhe problemet dypalëshe me fqinjët, bëjnë që tek të rinjtë të mbisundojë euroskepticizmi dhe mendimi se integrimi i vendit në Bashkimin Evropian nuk do të ndodhë në një afat racional dhe të parashikuar.

Këto konkluzione kanë dalë nga publikimi i realizuar nga Klubi për politikat e të rinjve dhe Instituti për sundim të mirë dhe politika euroatlantike.

“Sipas këtij publikimi, këtij hulumtimi dhe publikimeve të viteve të mëhershme,  shohim se në realitet të rinjtë janë për BE, por gjithnjë e më tepër e humbin shpresën se për kohë të shkurtër Maqedonia do të bëhet anëtare e BE-së. Kjo është një gjë për të cilën duhet të punojmë së bashku, që ta kalojmë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm si status për anëtarësim, por edhe për të mirat të cilat të rinjtë tashmë i shfrytëzojnë përmes programeve të ndryshme ERASMUS, mundësive për punë gjatë verës, studime etj. Atë që e kërkojnë si të rinj është lufta kundër korrupsionit që po ndodh, për ta kthyer besimin në institucione.”, - deklaroi komunikologu, Bojan Kordalov.

Të jepen rekomandime për uljen e euroskepticizmit, thotë deputetja, Dragana Bojkovska, e cila njëherësh vlerëson se vendi ynë  meriton të jetë në BE dhe me një qasje barabartë ndaj secilit vend kandidat aspirues.

“Ajo që është konstatuar në publikim mund të them se edhe përkundër padrejtësive të mëdha që i janë bërë Maqedonisë në raport me procesin e hyrjes në BE, përsëri pjesa më e madhe e të rinjve dhe pjesa më përkrahëse për integrim në BE është pikërisht kjo kategori e njerëzve. Si arsye se ku e shohin problemin për hyrje në BE është problemi bilateral që e kemi me Bullgarinë dhe  korrupsioni.”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dragana Bojkovska.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Bojkovska, apelon për arsimim cilësor për të rinjtë, në mënyrë që të jenë të përshtatshëm me tregun e punës dhe të qëndrojnë krahë për krahë me vendet e BE-së. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)