Maqedoni

Propozim-buxheti për vitin 2026, refuzohen amendamentet e opozitës

24.11.2025 16:06

Fronti Evropian me kritika për buxhetin e vitit 2026...

Sipas deputetes Rina Ajdari, po shpenzohen miliona për paga dhe privilegje përderisa ekonomia reale mbetet pa mbështetje dhe pa investim. Borxhi publik përtej 60% të bruto prodhimit vendor duke e kthyer shtetin në borxhli kronik.
 
Fondet për zhvillim rajonal të barabartë nga 348 milionë ulen në 253 milionë denarë duke e goditur drejtpërdrejt zhvillimin e komunave shqiptare.
 
“Ne kërkojmë korrigjimin e menjëhershëm të këtij buxheti dhe përfshirjen e amendamenteve që garantojnë drejtësi, zhvillim dhe barazi për të gjithë qytetarët e vendit pa përjashtim. Kërkojmë buxhet me vizion, drejtësi dhe përgjegjësi kombëtare.”, - deklaroi koordinatorja e Frontit Evropian, Rina Ajdari.
 
Por, brenda Komisionit për Financa dhe Buxhet u vazhdua me refuzimin e  amendamenteve të opozitës, por jo edhe amendamenti i VMRO – DPMNE-së për projekt rruge në qytetin e Shtipit. Kjo shkaktoi përplasje qëndrimesh.
 
“Ky është dallimi, me të vërtetë kemi deputetë të privilegjuar para qytetarëve të tyre, e të cilët kanë ndikim në Ministrinë e Financave. Dhe nga ana tjetër kemi deputetë të diskriminuar, të cilët nuk janë në rrjedha, amendamentet e të cilëve nuk pranohen.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe. 
 
Të revoltuar edhe deputetët e LSDM-së. Nga VMRO thonë se kërkesat e LSDM-së janë të vonuara.
 
“Zëvendësministri i Financave thotë se nuk pranohen amendamentet, kanë mjaft para. Por, edhe Komuna e Shtipit ka para mjaftueshëm. Në sqarim thuhet se kjo komunë ka marrë para.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
 
“Shpresoj se do ta kem mbështetjen e të gjithë deputetëve, pasi ka lëshime teknike në buxhet. Bëhet fjalë për pjesën dalëse të Shtipit dhe ky problem ekziston nga koha që kur ekziston hekurudha.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski. 
 
Debati në komision për projekt-buxhetin e vitit 2026, në vlerë prej 6.73 miliardë euro, duhet të përmbyllet për një javë, ndërkaq seanca plenare do të mbahet më 9 dhjetor.
 
MERAL ISMAILI