Maqedoni
Rasti "Tanku", Jankullovska kërkon rishqyrtim në Strasburg
24.11.2025 16:19
Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, e dënuar në rastin “Tanku”...

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, e dënuar në rastin “Tanku”, ka marrë konfirmim se do të hapet procedurë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për të konstatuar nëse është shkelur ose jo e gjithë procedura gjyqësore përmes së cilës ajo u dënua për furnizim të automjetit të blinduar për nevojat e shtetit.
Këtë gjë Jankullovksa e bëri të ditur në profilin e saj në Facebook, duke shpresuar se më në fund do të vijë drejtësia në vend për këtë rast.
“Ndoshta më në fund ata me 2 për qind besim do ta marrin porosinë se nuk duhet t'u shërbejnë interesave dhe agjendave të askujt, sepse qytetarët i paguajnë për t'i mbrojtur, jo për të shkelur të drejtat e tyre. Zonja që sot është në shtyllën e turpit dhe që u shpërblye bujarisht me një pozicion të lartë nga Qeveria e mëparshme për krimet e saj, është një shembull se toga gjyqësore nuk është një jelek antiplumb që mbron nga qortimet shoqërore. Shpresoj që më në fund do të ketë përgjegjësi për të gjitha të këqijat e kryera.”, shkroi Jankullovska në rrjetin e saj Facebook.
Mickoski: Vendimet mund ta turpërojnë vendin para Strasburgut
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut nga gjyqtarët. Ai paralajmëroi se këto procedura mund ta turpërojnë vendin para Strasburgut, për shkak të kontaminimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorisë.
"Vura re se në kumtesën thuhet qartë se ka vërejtje për procesin, mënyrën e gjykimit dhe po hapin çështje për ta shqyrtuar atë proces, për ta rishqyrtuar, shkelje të të drejtave të njeriut, etj. Këta janë ata gjyqtarë që kanë paga të ulëta, duan dyfish, trefish më të mëdha. Të penguar nga partia dhe të robëruar nga qeveria e mëparshme. Ka pak prej tyre. Do ta përsëris, konkretisht këtë lëndë, shikoni kush e udhëhoqi, kjo është lënda "Tanku" dhe shikoni tani ku është ai gjyqtar sot.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Gjykatësja Dobrilla Kacarska, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, dënoi në vitin 2018 ish-ministren Jankulloska me 6 vjet burg për furnizim të automjetit "Mercedes" në rastin "Tanku". Pas ankesave të Jankullovskës, Gjykata e Apelit uli dënimin në 4 vjet. Pas tre vjetësh dhe një muaji, Jankullovska u lirua nga burgu i Idrizovës.
REXHEP QAMILI
