Botë

Izraeli bombardon Libanin, Netanjahu: Cak i sulmeve është Hezbollahu, Hezbollah: Izraeli i ka kaluar vijat e kuqe

24.11.2025 16:41

Izraeli ka kryer një sulm ajror në periferi jugore të Bejrutit...

Izraeli ka kryer një sulm ajror në periferi jugore të Bejrutit, duke vrarë të paktën pesë civilë dhe plagosur 28 të tjerë. Sulmi erdhi pasi ushtria izraelite njoftoi se kishte eliminuar shefin e shtabit të Hezbollahut, Hajtam Ali Tabatabai.
 
Grupi libanez tha se Izraeli ka kaluar vijat e kuqe, duke ngritur shqetësime për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon, megjithëse Hezbollahu ende nuk e ka konfirmuar vrasjen e komandantit të lartë, ndërsa Izraeli pretendon se lufton këtë organizatë, të cilën e  konsideron si rrezik për ekzistencën e shtetit.
 
"IDF-ja vazhdon goditjet dhe operacionet në të gjitha frontet. Ndoshta do të duhet të luftojmë sërish edhe në zonat ku kemi luftuar më parë dhe për këtë jemi plotësisht të përgatitur. Sot eliminuam shefin e Shtabit të Hezbollahut, i cili punonte vazhdimisht për rimëkëmbjen e organizatës dhe përgatitjen e saj për betejën e ardhshme. Kështu do të veprojmë gjithmonë, nuk do të lejojmë që kërcënimi të rritet; nuk do të ketë aspak tolerim. Nën drejtimin tim, shteti i Izraelit nuk do t’i lejojë Hezbollahut të rindërtojë fuqinë e tij dhe nuk do t’i lejojë t’i paraqesë kërcënim shtetit të Izraelit.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Ditë më parë, Izraeli kreu një tjetër sulm në Liban, duke vrarë 13 persona në kampin e refugjatëve Ain al-Hilveh, me pretendimin se objektivi ishin disa anëtarë të Hamasit. Sulmi në Bejrut vjen në vazhdën e disa goditjeve të tjera gjatë këtij viti, përfshirë bombardime në jug të Libanit, ku janë raportuar dhjetëra të vrarë, mes tyre edhe civilë.
 
Përshkallëzimi i sulmeve ka shtuar frikën se rajoni mund të zhytet në një cikël të ri dhune, ndërsa tensionet mes Izraelit dhe Hezbollahut mbeten në nivelin më të lartë të viteve të fundit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU