Botë

Marrëveshja e paqes afër, Ukraina dhe ShBA-ja arrijnë progres të madh në Gjenevë

24.11.2025 17:03

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina ranë dakord mbi një “kornizë të përditësuar...

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina ranë dakord mbi një “kornizë të përditësuar dhe të rishikuar për paqe” pas negociatave për përfundimin e luftës katërvjeçare me Rusinë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, theksoi se është shumë optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje brenda një afati të arsyeshëm.
 
Ai shtoi se disa nga çështjet janë delikate dhe kërkojnë më shumë kohë për t’u zgjidhur; disa lidhen me semantikën, të tjera me vendime të niveleve të larta dhe disa kërkojnë konsultime shtesë. 
 
“Ky është një dokument “i gjallë” që evoluon çdo ditë. Kishte çështje lidhur me rolin e BE-së dhe NATO-s, të cilat do të diskutohen me vendet evropiane. Ka pika të hapura që nuk janë të pakapërcyeshme, por që kërkojnë më shumë kohë.”, - deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio.
 
Ai theksoi gjithashtu se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të miratohet nga presidenti amerikan dhe ai ukrainas para se të dërgohet tek Rusia. Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, tha se ka sinjale pozitive nga Trampi. 
 
“Është e rëndësishme të ketë dialog me përfaqësuesit amerikanë dhe ka sinjale se ekipi i Trampit po na dëgjon. Të gjithë ofrojnë mbështetje, këshilla dhe informacion. Është thelbësore që çdo hap drejt përfundimit të luftës të jetë i efektshëm dhe i zbatueshëm. Ukraina kurrë nuk e ka dëshiruar këtë luftë dhe nuk do të jemi pengesë për paqe. Diplomacia është rikthyer dhe kjo është pozitive.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Pavarësisht përpjekjeve për paqe, Rusia ka vazhduar bombardimet në Çernihiv, duke plagosur civilët. Ndërsa në Harkiv, sulmet e dronëve kanë vrarë katër persona dhe kanë plagosur 17 të tjerë, duke shkatërruar banesa dhe rrjetin energjetik të qytetit.
 
“Duhet të arrijmë paqe dhe jam shumë mirënjohës që  administrata e presidentit Tramp dhe ajo e presidentit Zelenski po punojnë për këtë marrëveshje. Shpresojmë që gjithçka të ketë sukses. Por, rrethanat janë vërtetë të tmerrshme, pavarësisht negociatave, forcat ruse vazhdojnë të godasin infrastrukturën civile dhe ndërtesat banimi, duke vrarë njerëz. Është e tmerrshme.”, - u shpreh kryetari i Harkivit,  Ihor Terekhov.
 
“Gruaja ishte në kuzhinë në momentin e sulmit. Shpëtimtarët e Shërbimit Shtetëror të Emergjencës e nxorën, por fatkeqësisht nuk mbijetoi. Grupi i parë i Shahedëve goditi këtu dhe rreth 15 minuta më vonë një valë e dytë goditi të njëjtin vend.”, - theksoi  Ihor Klimenko nga Kryqi i Kuq. 
 
Brukseli mbetet në qëndrim se çdo plan paqeje duhet të respektojë të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur të ardhmen e saj, përfshirë anëtarësimin në BE.
 
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar më parë se plani i Trampit mund të shërbejë si bazë për një zgjidhje paqësore, por paralajmëroi se Rusia do të vazhdojë avancimin, nëse Kievi refuzon të negociojë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU