Maqedoni

Vazhdon gjykimi për zjarrin në Koçan, priten deklarimet për fajësi

25.11.2025 12:02

Në sallën e gjykimit në Burgun e Idrizovës vazhdon gjykimi për zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan...

Në sallën e gjykimit në Burgun e Idrizovës vazhdon gjykimi për zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, ku më 16 mars humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën. 

Në bankën e të akuzuarve janë ulur gjithsej 37 të pandehur, 34 persona fizikë dhe tre juridikë, mes tyre pronari i “Puls”, drejtues, inspektorë, ish-kryetarë komunash dhe zyrtarë shtetërorë. Gjykimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie dhe drejtohet nga gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, e cila ka paralajmëruar se do të kërkojë disiplinë të lartë nga të gjitha palët dhe do të sanksionojë çdo shtyrje të panevojshme të procesit. Në seancën e kaluar, përfaqësuesi i Prokurorisë, Borçe Janev, në fjalët hyrëse theksoi se kërkohet përgjegjësi me emër e mbiemër për atë se kush ka lejuar, kush ka heshtur dhe kush s’e ka parandaluar tragjedinë. Ai theksoi se katastrofa nuk është rezultat vetëm i përdorimit të piroteknikës gjatë performancës atë natë, por i viteve të tëra të heshtjes institucionale, lëshimeve dhe mungesës së kontrollit. Sipas Prokurorisë, tragjedia është pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës sistemike dhe e injorimit të rreziqeve të sigurisë. Përveç procesit kryesor, Prokuroria po zhvillon edhe procedura të veçanta kundër policëve të dyshuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme si bashkëveprues, pasi për më shumë se një dekadë, përmes lëshimeve të tyre, kanë lejuar që diskoteka të punojë pa kushte të nevojshme të sigurisë.
 
Para fillimit të gjykimit reaguan edhe prindërit e fëmijëve që kanë humbur jetën. 
 
“E kam të qartë se sipas ligjit, të akuzuarit duhet të kenë avokat mbrojtës, por më vjen çudi se kam shumë avokat mbrojtës nga Koçani. A keni ndërgjegje dhe ndjenjë empatie kur na shihni familjarët që kemi humbur fëmijët ose kjo ndjenjë empatie nuk ekziston te ju që janë vrarë qytetarë të rinj. Duke kërkuar drejtësi për fëmijët tanë mësojmë se në Koçan jetojnë shumë njerëz të korruptuar. Tomasi ishte viti i tretë në fakultet. Duhej të ishte inspektor, kishte respekt nga shoqëria, ishte fëmijë tejet pozitiv, por jeta e tij dhunshëm u shua, andaj ne kërkojmë që drejtësia të ketë  emra dhe mbiemra. Të gjithë që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duhet të përgjigjen para ligjit.”, - tha një prind nga Koçani.