Rajon
Orav: Kosova ka nevojë për qeveri të qëndrueshme
25.11.2025 13:53
Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të qëndrueshme për të ecur përpara...

Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri të qëndrueshme për të ecur përpara, vlerëson ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav. Ai njëherësh nënvizon edhe rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si kusht që dy vendet të ecin përpara në proceset eurointegruese.
“Bashkimi Evropian ka qenë i qartë: përparimi varet jo vetëm nga reformat e brendshme, por edhe nga avancimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale, forcimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e lirisë së mediave, sigurimin e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e karakterit shumetnik të Kosovës. Këto nuk janë pengesa të vendosura nga Bashkimi Evropian, ato janë themele për një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë. Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm. Por, për të ecur përpara, na duhet qeveria këtu sa më shpejt të jetë e mundur. Na nevojitet një partner.”, - deklaroi ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Ambasadori Orav, këtë qëndrim e shpalosi në kuadër të Samitit të Paqes dhe Demokracisë në Kosovë, me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe çmontim i normave demokratike”. Orav tha se Bashkimi Evropian duhet të mbetet i angazhuar, i qëndrueshëm dhe mbështetës, si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj rajonit. Orav, po ashtu ka bërë të ditur se BE-ja ka investuar 3.7 miliardë euro në Kosovë, që nga viti 1999.
GYLTENE SINANI
