Maqedoni
6.045 aplikime për vetëpunësim, Mickoski: Tregues se shteti shpërblen vizionin
25.11.2025 14:31
Qytetarët të interesuar për të shfrytëzuar beneficionet e iniciativës për vetëpunësim....

Qytetarët të interesuar për të shfrytëzuar beneficionet e iniciativës për vetëpunësim. Gjatë nënshkrimit të kontratave të para, kryeministri Mickoski, duke e cilësuar Planin Operativ si program më atraktiv, potencoi se kjo nismë sfidon papunësinë dhe kthehet në energji të re ekonomike. Plani parasheh 7.000 euro për personat mbi 29 vjeç ose 14.000 euro nëse bashkohen në një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe 10.000 euro për të rinj deri në 29 vjeç ose 20.000 euro nëse bashkohen në ShPK, bëri të ditur shefi i ekzekutivit.
“Këtë vit kemi interesim më të madh. Deri më tani kanë arritur gjithsej pak më shumë se 6.000 aplikime, që është një tregues i fortë se qytetarët kanë dëshirë, njohuri dhe vetëbesim të ndërtojnë biznesin e tyre, ndërsa shteti qëndron pas tyre me mbështetje financiare konkrete dhe rekorde. Deri në këtë moment janë lëshuar 2.916 vauçerë për përgatitjen e planit të biznesit dhe janë vlerësuar 2.681, prej të cilëve 1.140 janë për të rinj deri në moshën 29 vjeç, 912 për persona mbi 29 vjeç dhe 629 për subjekte juridike të regjistruara si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Durmishi: Mundësi reale për biznese të reja
Për ministrin e Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ky projekt pasqyron faktin e besimit të qytetarëve te shteti dhe perspektiva.
“Sot shohim anën më të bukur të shtetit tonë, anën që krijon mundësi, nxit iniciativën dhe njeh guximin për të filluar diçka të re. Masa vetëpunësim si pjesë e Planit Operativ për vitin 2025 është një nga instrumentet më të rëndësishme, përmes të cilave qytetarët marrin mbështetje reale për të ndërtuar biznesin e tyre dhe për të krijuar të ardhme të qëndrueshme për veten dhe familjen.”, - theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Masa për vetëpunësim për vitin 2025 kap vlerën mbi 2.5 miliardë denarë ose 40 milionë euro. Sipas qeveritarëve, kjo shumë është për 7.5 milionë më e madhe se vitin e kaluar. Me këtë plan, në vitin 2025 do të përfshihen 16.507 persona, që për ekzekutivin është një dëshmi e qartë se shteti investon në forcën më të madhe që ka, pra tek qytetarët.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
