Pas planit të paqes për Ukrainën, seri sulmesh ruse kanë goditur Kievin
Në kulmin e debatit në Gjenevë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë...

Në kulmin e debatit në Gjenevë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sulme të njëpasnjëshme dhe të ashpra kanë tronditur Kievin dhe disa qytete të tjera ukrainase. Raportohet për të vrarë dhe të plagosur, ndërsa infrastruktura energjetike është dëmtuar rëndë. Edhe Rusia raportoi goditje me dronë në jug të vendit. Më herët, forcat ukrainase njoftuan se kanë arritur t’i zmbrapsin trupat ruse nga pjesa qendrore e Pokrovskut, qytet ku javëve të fundit janë zhvilluar beteja të ashpra.
“Po rrija në shtrat kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm dhe xhami më ra sipër. Nuk besoj te Plani i Paqes, askush nuk do të bëjë asgjë për këtë. Putini nuk do të ndalet derisa të na shkatërrojë.”, - tha një banore e Kievit.
“Të shkruajnë një gjë, por bëjnë tjetër. Lufta nuk do të ndalet. Kështu më duket. Asnjë negociatë nuk do të ketë sukses.”, - tha një banore tjetër e Kievit.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, paralajmëroi ditë të vështira, pavarësisht bisedimeve në vazhdim.
Ai theksoi se nga plani i propozuar me ShBA-në, asnjë kërkesë ukrainase nuk ka mbetur e pazgjidhur. Sipas tij, 28 pikat fillestare të planit janë reduktuar në 19 pas bisedimeve në Zvicër.
“Ukraina kurrë nuk do të jetë pengesë për paqen, ky është parimi ynë. Miliona ukrainas presin dhe meritojnë një paqe të drejtë. Jemi gati të punojmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Shohim se çfarë interesash ndërthuren dhe kush përpiqet me çdo kusht të dobësojë pozicionin e Ukrainës, të përhapë dezinformata, të frikësojë popullin tonë. Ne kundërshtojmë çdo përpjekje për të penguar përfundimin e luftës. Puna konstruktive me partnerët është thelbësore për ne.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë, Kremlini e cilësoi kundërpropozimin evropian për planin amerikan të paqes për Ukrainën si plotësisht jokonstruktiv, pasi Rusia nuk është ftuar në takimin në Gjenevë.
“Ne e kemi parë planin e ndërmjetëm, por përmes kanaleve jozyrtare. Nuk na është dorëzuar zyrtarisht. Por, natyrisht, jemi të gatshëm të diskutojmë formulime specifike, sepse ka disa çështje që, padyshim, kërkojnë sqarim.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.
Shtëpia e Bardhë mohoi se plani i Trampit është hartuar në favor të njërës palë. Uashingtoni thekson se bisedimet me të dyja palët kanë vazhduar për 10 muaj dhe se presioni mbi Putinin dhe Zelenskin do të vazhdojë.
“Ideja se ShBA-ja nuk po angazhohet në mënyrë të barabartë me të dyja palët për t’i dhënë fund kësaj lufte është krejtësisht e gabuar. Ajo vjen nga njerëz që nuk kanë asnjë ide për çfarë flasin, ose nga ata që shtyjnë agjendat e tyre, ose ndoshta nuk duan që kjo luftë të përfundojë, ndoshta edhe përfitojnë prej saj. Por, askush në këtë ndërtesë nuk përfiton nga lufta.”, - u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavit.
Sipas agjencive botërore, vendimet përfundimtare mbi çështjet më të ndjeshme pritet t’i marrin presidentët Zelenski dhe Trampi më vonë gjatë kësaj jave. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
