Maqedoni

Ligjet reformuese, Mickoski: Deri në fundvit do t’i miratojmë ligjet

25.11.2025 14:50

Qeveria është e përkushtuar që deri në fund të vitit të miratojë ligjet reformuese në kuadër të Planit të Rritjes me BE-në...

Qeveria është e përkushtuar që deri në fund të vitit të miratojë ligjet reformuese në kuadër të Planit të Rritjes me BE-në. Kryeministri Mickoski thotë se do ta mbajë fjalën e dhënë në Tiranë në kuadër të samitit të Planit të Rritjes, që 10 nga 12 hapat e agjendës të marrin dritë jeshile në Kuvend. Midis tjerash, sipas Mickoskit, do të miratohet ligji për energjetikë, harmonizimi i Kodit Zgjedhor me vërejtjet e OSBE-së, ligjet për prokurori, gjykata, punësimet e reja në Agjencinë për Pronën e Konfiskuar. Qeveria do të përpilojë plan për renovimin e 3% të ndërtesave publike, liberalizim të trafikut hekurudhor, do të miratojë ligjin për shërbime audiovizuele dhe do të formojë regjistër të shoqatave aksionare. Mickoski nuk e sheh të arsyeshme që ligjet të bllokohen në Kuvend.
 
“Kemi plan të qartë, fokus të qartë. Strategjia jonë është që të jemi më të mirët në repart. Këtë do ta bëjmë. Nëse këtë dikush nuk e çmon, nëse mendon se do të duhet që çështjet dypalëshe duhet të jenë pengesë për hyrje në BE, më falni, por ne këtu nuk mund të bëjmë asgjë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Ademi: Pa reforma, rrezikohet thithja e fondeve
 
Por, BDI druan se vonesat në zbatimin e reformave të parapara në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, rrezikojnë drejtpërdrejt vonimin e tërheqjes së fondeve të garantuara nga BE-ja. Ata kritikojnë zhvillimin e tregut të brendshëm.
 
“Ky është një alarm serioz. Plani i rritjes parasheh fonde të mëdha për vendet e Ballkanit Perëndimor, fonde që synojnë rritjen ekonomike, modernizimin e ekonomisë, mbështetjen e biznesit vendas dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Por, këto fonde lëshohen vetëm nëse reformat përparojnë. Vonesat, ngërçet administrative dhe mungesa e harmonizimit me standardet e BE-së po e lënë vendin mbrapa në konkurrim me rajonin dhe po e rrezikojnë qasjen në fonde që i takojnë qytetarëve tanë.”, - theksoi Arbër Ademi nga BDI.
 
Integristët thonë se do të mbështesin harmonizimin e legjislacionit me BE-në dhe të zbatojë reformat që dalin nga Plani i Rritjes.
 
MERAL ISMAILI