Lançohet iniciativa globale "Aktivizmi për të luftuar dhunën ndaj grave"
Sistemi flet për barazi, por nuk ofron edukim....

Sistemi flet për barazi, por nuk ofron edukim, mbrojtje dhe mekanizma realë kundër dhunës, kjo ishte porosia e të rinjve nga grupi vullnetar i Shoqatës për Edukim dhe Kërkim Shëndetësor – “Hera”.
Këto porosi u bënë me rastin e lançimit të iniciativës globale "16 ditë, aktivizmi për të luftuar dhunën ndaj grave", ku të rinjtë nga grupi vullnetar i OJQ “Hera”, në Platonë e Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup prezantuan fushatën e tyre rinore "Feminizmi i dështuar".
Sipas tyre, fushata është një reagim kritik ndaj dështimeve të gjata institucionale në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe dërgon qartë një mesazh se kur reformat reduktohen në simbolikë, pasojat i mbajnë gratë, vajzat dhe komunitetet e margjinalizuara.
“Kërkojmë bashkëpunim më të madh mes sektorëve. Në çështjet e prevenimit, rol të madh luan çështja e arsimimit, të ofrohen këto tema deri tek të rinjtë, të mësohet se si duhet ta njohin rrezikun në kohën e duhur, të kërkojnë ndihmë, dhe të ndërtojnë marrëdhënie të sigurta dhe të shëndosha. Kërkojmë bashkëpunim dhe intervenim me kohë, duke filluar nga qendrat për punë sociale pranë Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, MPB, ajo e Drejtësisë, dhe Gjykatat, sepse çdo masë e vonuar mund të na kushtojë me jetë të humbur.”, - deklaroi aktivistja e OJQ “Hera”, Marija Gjorgjievska.
Sipas tyre feminizmi që dështon është një paralajmërim publik se dështimet institucionale, mungesa politike e ambicies dhe injorimi i normalizuar i përvojave të grave krijojnë një hendek real, të rrezikshëm dhe të kushtueshëm midis barazisë së premtuar dhe asaj aktuale.
“Na shqetëson fakti se ndryshimet e paralajmëruara në kodin penal, pavarësisht rasteve të shumta të femicidit, vetëm në muajt e fundit, ende nuk janë zbatuar. Ato do të duhet të mbulojnë rritjen e dhunës seksuale përmes fotografive, përmbajtjes së manipuluar dhe teknologjive të falsifikuara. Si gra të reja, ne kërkojmë miratimin urgjent të reformave thelbësore që do të garantojnë parandalimin, mbrojtjen dhe llogaridhënien.", - theksoi studentja dhe aktivistja rinore, Ilarija Dimulkova.
Ato raportojnë se në periudhën e kaluar kanë qenë dëshmitarë të shumë feminicideve, të cilat ndodhin pasi dhuna është raportuar dhe institucionet nuk arrijnë të mbrojnë viktimat dhe janë forma sistemike të dhunës dhe diskriminimit me bazë gjinore që mbeten të maskuara pas statistikave që rrallë tregojnë të vërtetën.
Sipas tyre, shërbimet e mbrojtjes shpesh janë të paarritshme, të pamjaftueshme ose joekzistente për vajzat dhe gratë, veçanërisht ato nga komunitetet e margjinalizuara, pasi pabarazitë ekonomike dhe të tjera vazhdojnë të diktojnë aksesin në siguri, shëndet dhe mundësi. (Fitim Kryeziu, TVM2)
