Kërkesë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së: Armëpushimi në Gazë të zbatohet plotësisht
Pavarësisht armëpushimit në Gazë dhe Planit të Paqes të propozuar nga Trampi...

Pavarësisht armëpushimit në Gazë dhe Planit të Paqes të propozuar nga Trampi, sulmet mbi civilët dhe vrasjet kanë vazhduar.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u theksua se faza e parë e armëpushimit duhet të zbatohet plotësisht, ndërsa palët duhet urgjentisht të arrijnë një marrëveshje për hapat e mëtejshëm.
"Armëpushimi duhet të respektohet dhe zbatohet plotësisht. Asgjë nuk mund ta justifikojë që 1.000 palestinezë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i armëpushimit. Asgjë nuk mund ta justifikojë që çdo ditë dy fëmijë palestinezë vriten nga Izraeli.", - deklaroi vëzhguesi i përhershëm i Palestinës në OKB, Riad Mansur.
Izraeli theksoi se armëpushimi nuk mund të qëndrojë pa çarmatosjen e Hamasit, ndërsa vazhdon të kundërshtojë çdo masë që vendoset në tryezë.
"Armëpushimi nuk mund të mbijetojë derisa një organizatë terroriste të ruajë armatimin e saj. Plani nuk mund të mbahet derisa njëra palë refuzon të përmbushë edhe detyrën më të thjeshtë. Hamasi duhet të çarmatoset.", - theksoi përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në OKB, Deni Danon.
Pavarësisht civilëve të vrarë dhe propozimit të Planit për Paqe nga vetë presidenti, ShBA-ja edhe me tej qëndron në anën e Izraelit.
"Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në angazhimin për sigurinë e Izraelit dhe demilitarizimin e Gazës. Sulmet e fundit nga forcat mbrojtëse izraelite ndaj objektivave të Hamasit ishin përgjigje ndaj shkeljes së armëpushimit nga operativët e Hamasit. ShBA-ja i njeh shqetësimet legjitime të sigurisë së Izraelit.", - u shpreh zëvendëspërfaqësuesja në OKB, Xhenifer Loçeta.
Megjithatë, raportohet se Izraeli ka shkelur armëpushimin 497 herë brenda 44 ditëve, duke vrarë rreth qindra civilë. Para disa ditëve, sulmet ajrore izraelite goditën tendat që strehonin familje të zhvendosura në Kan Junis, duke vrarë 33 persona, përfshirë gra dhe fëmijë. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
