Maqedoni
Gjykimi për rastin “Puls”, avokatët kundërshtuan aktakuzën, prindërit e viktimave shpresojnë në gjykim të drejtë
25.11.2025 15:37
Në sallën e gjyqit në Burgun “Idrizovë” u mbajt seanca e dytë për rastin “Puls”...

Në sallën e gjyqit në Burgun “Idrizovë” u mbajt seanca e dytë për rastin “Puls”. Në bankën e të akuzuarve ishin ulur 35 persona, ndërsa përgjegjësi kërkohet edhe nga tre kompani. Të akuzuarit duhej të jepnin fjalët hyrëse, por nuk e bënë këtë, sepse avokatët e tyre e kundërshtuan aktakuzën si të gabuar në shumë pika thelbësore dhe teknike, përfshirë edhe faktin se ajo nuk u është dorëzuar personalisht të akuzuarve. Prokuroria ua ka dorëzuar vetëm avokatëve, të cilët theksuan se nuk janë shërbim postar i gjykatës. Avokatët gjithashtu thanë se kjo aktakuzë e integruar i ngjan një aktakuze të re dhe se duhet të rikthehet për vlerësim.
“Neve na u dorëzua ajo aktakuzë e ashtuquajtur e integruar, por asnjërit prej të akuzuarve jo. Ne, si mbrojtës nuk jemi të akuzuar, ne jemi në sallën e gjyqit për shkak të të akuzuarve, të cilët nuk e kanë aktakuzën që të dinë pse ndodhen në sallë, përse akuzohen; një pjesë prej tyre janë në paraburgim, të tjerët në arrest shtëpiak. Është jokompetente nga Prokuroria që të mos ua dorëzojë aktakuzën e integruar të akuzuarve, sepse sot na priste deklarimi për faj. Si mund të deklarohet dikush për faj apo jo faj nëse nuk e ka dokumentin për të lexuar se për çfarë akuzohet?!”, - deklaroi avokati, Zvonko Davidoviq.
Avokati Petre Shilegov kritikoi Prokurorinë për gabime procedurale, që sipas tij, rrezikojnë drejtësinë dhe kërkoi që gjykata të marrë një vendim të qartë mbi vërejtjet thelbësore të mbrojtjes.
“Bëhet fjalë për atë nëse në vazhdim do të respektohen parimet e një procesi të drejtë. Përndryshe, e gjithë lënda mund të rrëzohet në procedurën e ankesës. Bëhet fjalë për atë nëse në vazhdim do të respektohen parimet e një procesi të drejtë. Me një veprim të tillë, Prokuroria nuk lë hapësirë që drejtësia të realizohet.”, - theksoi avokati, Petre Shilegov.
Ndërkohë, prindërit e të vrarëve në zjarr kërkojnë drejtësi.
“Shpresoj që gjykatësja, e cila e udhëheq procesin gjyqësor, do të vazhdojë edhe më tutje ashtu si në seancën e parë, drejt dhe korrekt. Më shumë se 8 muaj, ne prindërit e viktimave jetojmë në agoni dhe tek unë kur mbaroi seanca e parë u paraqit një shpresë e sinqertë dhe shkaku i kësaj shprese është gjykatësja. Ne prindërit kërkojmë vetëm drejtësi. Fëmijët tanë për fat të keq e kanë paguar çmimin e këtij sistemi të korruptuar.”, - u shpreh prindi i njërit prej viktimave.
Seanca e radhës do të mbahet më 2 dhjetor.
ARMEND MURSELI
