Maqedoni
Rivotimi në katër komuna, nesër do të nisë kontrolli i të dhënave të votuesve
25.11.2025 17:06
Nga nesër votuesit e katër komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë...

Nga nesër votuesit e katër komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të mund të kontrollojnë të dhënat e tyre në listën zgjedhore për rivotimin e zgjedhjeve lokale. KShZ-ja njofton se kontrolli në 15 ditët në vijim mund të bëhet online ose në zyrat rajonale të KShZ-së në katër komunat.
“Ftohen të gjithë qytetarët e interesuar të RMV-së, të cilët dëshirojnë t’i kontrollojnë të dhënat e tyre në listën zgjedhore atë ta bëjnë në formë elektronike në uebfaqen zyrtare të KShZ-së ëëë.sec.mk apo personalisht në njësitë rajonale dhe zyrat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Tre njësitë rajonale, gjatë kohëzgjatjes së shikimit publik do të punojnë çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 e mëngjesit deri në ora 20:00. Kurse më datë 10 dhjetor të vitit 2025 deri në ora 24:00.”, - deklaroi nënkryetari i KShZ-së, Abdush Demiri.
Kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko, theksoi se qytetarët mund të korrigjojnë të dhënat me dokumentacionin e duhur në zyrën rajonale të KShZ-së ose në postën elektronike të komisionit.
Në seancën e sotme të KShZ-së gjithashtu u miratuan mjetet për transportin e materialit zgjedhor deri në vendvotime dhe aktiviteteve të tjera zgjedhore që ndërlidhen me procesin zgjedhor. Rivotimi në katër komunat zhvillohet më 11 janar si pasojë e mosarritjes së censusit prej 33.33% nga numri total i votuesve në komuna.
MERAL ISMAILI
