Aleksandar Vuçiq nga Tirana paralajmëron përgjigje për Hashim Thaçin
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia po përgatit përgjigje në paralajmërimin e zv/kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi për të ngritur padi për gjenocid që Serbia e ka shkaktuar në Kosovë gjatë viteve 1998-99…

Vuçiq ka shtuar se nuk e kupton një deklaratë të tillë të Thaçit dhe se ajo nuk është e bazuar në fakte.
“Duhet ta pranojë se nuk e kuptoj atë. Unë i respektoj të gjithë bashkëbiseduesit edhe në Bruksel edhe çdo kund, siç e dini, i respektoj, asnjërit nuk i frikësohem, mirëpo zoti Thaçi nuk është bash jurist dhe ai duket se nuk e kupton se çfarë është gjenocidi”, ka thënë Vuçiq në Tiranë për RTS-in, transmeton Indeksonline.
Ai ka shtuar se kjo “më shumë është largim i vëmendjes nga themelimi i Gjykatës Speciale”, për të cilën ka thënë se vendimi pritet të merret nesër ose pasnesër.
“Pra hajde të flasim për diçka që nuk ka kurrfarë lidhje me faktet”, ka thënë ai.
“Edhe ne po përgatisim përgjigje, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme dhe e përgjegjshme në mënyrë që ta marrim seriozisht atë (paralajmërimin për padi për gjenocid) dhe ta shqyrtojmë”, ka thënë Vuçiq. (Indeksonline)
