Liga e Kampionëve, sot e gjithë vëmendja te Arsenal – Bayern M.
26.11.2025 10:57
Sonte sikurse mbrëmjen e kaluar, superfuqitë e kontinentit të vjetër zbresin në fushë për një raund fenomenal...

Liga e kampionëve nuk fal, kërkon më të fortët. Andaj Arsenali dhe Bayern Munich në staidumin “Emirates”, duhet të dëshmojnë se kush është më I forti. Si njëra ashtu edhe tjetra kanë sulmin më të mirë me plus 11 gola, por “topxhinjët” në katër ndeshje nuk kan pranuar gol. Arsenali nuk ka fituar në pesë ndeshjet e fundit të garave të UEFA-s kundër Bayernit. Ndryshe nga këta skuadra gjermane është mposhtur vetëm në tre nga 52 ndeshjet e fundit të grupeve në Ligën e Kampionëve.
Atlético de Madrid kundër Inter
Stadiumi “Wanda Metropolitano” në Madrid, do shndërrohet në fushëbetejë. Të motivuar, madrilenët e Atletikos zbresin në fushë kundër Interit të etur për lavdinë evropiane. Italianët janë skuadra e tretë në këtë edicion që nuk njeh humbjen, ndërsa “jorganxhinjët” kanë dy humbje në katër ndeshje. Të dyja skuadrar kanë armët e forta individuale – Julián Alvarez ka shënuar nëntë gola në 13 paraqitje në Ligën e Kampionëve për Atletico-n. Ndërsa Lautaro Martínez ka shënuar 12 gola në 11 paraqitjet e tij të fundit në Ligën e Kampionëve.
Frankfurt kundër Atalantës
Në Frankfurt të Gjermanisë, për herë të parë në këtë kompeticion të UEFA-s, do të përballen Frankfurti dhe Atalanta. Në formacionin e italianëve pritet të luajë Berat Gjimshiti. Shikuar traditën e skuadrae italianët duhet të jenë faborit pasi Frankfurt nuk ka fituar në katër ndeshjet e fundit të kompeticionit të UEFA-s kundër skuadrave italiane, duke mos arritur të shënojë në asnjërën prej tyre. Nga ana tjetër Atalanta ka humbur vetëm dy nga dhjetë ndeshjet e mëparshme të kompeticionit të UEFA-s kundër skuadrave gjermane.
Paris Saint-Germain kundër Tottenham
Në ripërsëritjen e ndeshjes së Superkupës së UEFA të këtij viti do të përballen Parisi dhe Tottenhami. PSG, llogaritet favorit, pasi nuk ka humbur kurrë ndeshje të njëpasnjëshme të fazës së grupeve/ligës së Ligës së Kampionëve në shtëpi. E nga ana tjetër klubi i Londrës Veriore ka mbajtur portën e paprekur pesë herë në shtatë ndeshjet e fundit të garave të UEFA-s.
Kështu, ndeshjet sontme të raundit të pestë në fazës e ligës në Ligën e kampionëve na premton spektakël, gola dhe përballje që mund të përcaktojnë rrugëtimin e ekipeve drejt fazës me eliminim direkt. Pasi skuadrat e mëdha të kontinetit të vjetër nuk ia kanë dalë të shënojnë rezultatet e dëshiruara menjëher pas shortit të hedhur. (Gazetar: Safet Ademi)
