Botë
Finalizohen bisedimet për paqe në Ukrainë, Tramp: Marrëveshja nuk ka afat të caktuar
26.11.2025 13:53
Nuk ka afat të caktuar për arritjen e marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës....

Nuk ka afat të caktuar për arritjen e marrëveshjes mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës. Plani i paqes për Ukrainën është drejt finalizimit. Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, ka dërguar Stiv Uitkofin në Moskë për takim me Putinin, ndërsa sekretari i Ushtrisë, Driskoll, do të takohet me palën ukrainase në të njëjtën kohë. Shefi i Shtëpisë së Bardhë është optimist se do të arrihet një marrëveshje paqeje.
“Ne kemi zgjidhur tetë luftëra dhe mendova se kjo do të ishte një nga më të lehtat për shkak të marrëdhënies sime me presidentin Putin, por në fakt ka rezultuar të jetë një nga më të vështirat. Ka shumë urrejtje. Ata po negociojnë, po përpiqen ta arrijnë marrëveshjen. Nuk mund të kesh një kufi që kalon nëpër një autostradë apo që pret një qytet në mes. Kjo nuk funksionon. Ky është një proces i gjatë, i ndërlikuar dhe shumë, shumë i trishtë, sepse ka pasur shumë viktima.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ndërkohë, është publikuar një transkript, në të cilin i dërguari special Vitkov i tha një zyrtari të lartë të Kremlinit muajin e kaluar se për paqen në Ukrainë, Rusia do të merrte kontrollin e Donetskut dhe në tryezë do të bëhet një shkëmbim i veçantë territorial. Nga Moska, me qëndrim të qartë dikush ka përgjuar, por kjo nuk është Rusia.
“Në lidhje me Vitkovin, mund të them se është arritur një marrëveshje preliminare, se ai do të vijë në Moskë javën e ardhshme, së bashku me një numër të lartë përfaqësuesish së administratës amerikane, të cilët janë të përfshirë në punët e Ukrainës.”.
Nga ekipi negociator i Kievit, niveli dhe karakteri i garancive të sigurisë, janë përcaktues që do ta definojnë qëndrueshmërinë e marrëveshjes. Presidenti ukrainas thotë se është i gatshëm të takohet me homologun amerikan Tramp dhe të diskutojë “pikat e ndjeshme” të planit të paqes.
“Ukraina e ka një kornizë të përgatitur nga ekipet tona në Gjenevë. Ajo kornizë është tashmë në tavolinë dhe ne jemi gati të ecim përpara së bashku me ShBA-në, me angazhimin personal të presidentit Tramp, si dhe me Evropën dhe të gjithë partnerët që kanë forcën dhe kapacitetin të ndihmojnë. Jam i gatshëm të takohem me presidentin Tramp, ka pika të ndjeshme për t’u diskutuar, dhe ende besojmë se prania e liderëve evropianë mund të ishte e dobishme.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Evropa del me qëndrim, se çdo zgjidhje që e detyron Ukrainën të humbasë territor ose të vendosë kufizime mbi ushtrinë e saj, do të kërcënonte si sovranitetin e Ukrainës ashtu edhe sigurinë afatgjate të Evropës.
“Duhet ta kemi të qartë se nuk mund të ketë ndarje të thjeshtë të një kombi sovran evropian dhe se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Sovraniteti gjithashtu do të thotë mundësi për vendosjen e së ardhmes suaj. E ardhmja e Evropës është e lidhur ngushtë me të ardhmen e Ukrainës dhe ne do të bëjmë gjithçka që ta bëjmë atë së bashku.”, - u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Në kohën e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për paqe, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera në Ukrainë ditët e fundit. Raketat dhe dronët rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë.
FARIJE DAUTI BAKIU
