Maqedoni

Panairi i Organizatave të Shoqërisë Civile, "Bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile"

26.11.2025 14:34

Bashkëpunimi mes Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Qeverisë është shumë domethënës dhe i domosdoshëm...

Bashkëpunimi mes Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Qeverisë është shumë domethënës dhe i domosdoshëm, ndërsa niveli i deritanishëm i koordinimeve mes të dyja palëve duhet të avancohet edhe më shumë. Këto ishin porositë të cilat dolën nga Forumi Kombëtar- Panairi i Organizatave të Shoqërisë Civile me temë "Bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile". Aleksandar Kërzhallovski, në emrin e organizatave tha se Qeveria duhet ta rritë financimin shtetëror për organizatat dhe se mjetet të cilat ndahen deri më tani e që kapin vlerën e rreth 12 milionë eurove, janë shumë të ulëta në krahasim me vendet e rajonit.   
 
“Këtë vit vlerësoj se kemi shënuar progres me rastin e fillimit apo riaktivizimin e bisedimeve me Këshillin për Bashkëpunim, dhe sjelljen e strategjisë për bashkëpunim me Qeverinë. Një çështje e hapur ka mbetur të bisedohet aspekti i financimit të organizatave nga buxheti i shtetit. Ky financim është minimal dhe kap shifrat e diku 12 milionë eurove dhe nëse krahasohemi me shtetet në rajon, mund të shohim se si Serbia ka ndarë rreth 80 deri në 90 milionë euro për Organizatat Joqeveritare, Kroacia ka ndarë 250 milionë euro, ndërsa në Slloveni mbi 500 milionë euro.”, - deklaroi drejtori i MCIC-it, Aleksandar Kërzhallovski.
 
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, theksoi se është i vetëdijshëm se mjetet për sektorin joqeveritar janë të ulëta dhe se nevojitet më shumë, por mundësitë buxhetore janë të limituara, tha ai, duke shtuar se do të bëjnë përpjekje që të njëjtat të rriten.  
 
“Sektori Civil, Organizatat Joqeveritare së bashku me Qeverinë duhet të jenë në debat të vazhdueshëm për tema të ndryshme dhe si rezultat i debateve të tilla, të gjithë ne duhet të ndërtojmë politika më të mira, e të cilat do të nënkuptojnë zhvillim për të gjithë shtetin. Me prezencën tonë duam të përçojmë një porosi të fuqishme se ne jemi të interesuar që të ndërtojmë marrëdhënie të mira me Sektorin Joqeveritar dhe këto evente janë vetëm vlerë e shtuar dhe sugjerimet e tyre duhet të merren për bazë.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski. 
 
Në këtë forum morën pjesë mbi 100 organizata joqeveritare, me mbi 180 përfaqësues dhe 50 personalitete të jetës politike nga vendi. 
 
FITIM KRYEZIU