Strategjia e re për bashkëpunim me diasporën, Mucunski: Synojmë lidhje më të forta
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski....

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, prezantoi draftin e “Strategjisë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën 2025–2030”.
Dokumenti paraqitet si një plan pesëvjeçar që synon forcimin e lidhjeve me diasporën, emigrantët dhe komunitetin e pakicës maqedonase jashtë vendit.
Mucunski theksoi se Strategjia nuk është thjesht një dokument formal, por një dëshmi e vendosmërisë së shtetit për t’iu përkushtuar në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjate qytetarëve të shpërngulur.
“Kjo nuk është një Strategji e shkruar pas dyerve të mbyllura, por në partneritet: institucione, ekspertë, organizata, profesionistë dhe, më e rëndësishmja, diaspora. Ajo nënkupton se Qeveria i dëgjon nevojat, propozimet dhe kritikat tuaja. Kjo strategji do të thotë se shteti po transformohet drejt një administrate moderne, digjitale, të qasshme dhe të besueshme. Do të thotë se shteti krijon sistem dhe jo improvizim, partneritet dhe jo protokoll, vizion afatgjatë dhe jo masa ad-hok.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se kjo është një përpjekje serioze për marrëdhënie më të mira me diasporën.
“Kjo është një përpjekje shumë serioze për modernizimin e marrëdhënieve me diasporën. Për mua, kjo është shenjë pjekurie dhe ka një potencial të qartë zhvillimor. Por, e përsëris, suksesi varet nga ajo nëse do të krijojmë mekanizma të qartë institucionalë, nëse do të sigurojmë mbështetje financiare, infrastrukturë digjitale dhe nëse do të tregojmë vullnet të fortë politik për zbatimin e qëndrueshëm të saj.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Në debat morën pjesë ministra nga resore kyçe, ndërsa u theksua se Strategjia forcon identitetin kombëtar edhe përmes sportit dhe diplomacisë sportive, duke e parë diasporën si urë bashkëpunimi dhe partneriteti.
Përfaqësues të diasporës, sektorit civil dhe komunitetit akademik patën mundësi të diskutojnë, ndërsa Strategjia mbetet e hapur për komente publike në ditët në vijim. (Armend Murseli, TVM2)
