Kosovë, protesta për pagat e “Trafikut Urban” dhe RTK-së
Shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme...

Shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pa miratimin e buxhetit për Komunën e Prishtinës dhe për Televizionin Publik në Kosovë ka bërë që punëtorët të mbeten pa rroga. Përfaqësuesi i punëtorëve të “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, është ankuar se askush nga organet komunale nuk u ka dhënë ndonjë sqarim, por ai ka shpresë se në mbledhjen e jashtëzakonshme të cilën e ka thirrur Komuna e Prishtinës do të gjendet një zgjidhje.
“Sot po e përfundojmë protestën, por nuk doli askush nga organet e komunës të na drejtojë. Nesër protesta vazhdon me të njëjtin ritëm, veç më i madh që mund të jetë.”, - deklaroi përfaqësuesi i punëtorëve të “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi.
Në protesta është edhe sektori i autobusëve privatë në Prishtinë, prej ku shprehin keqardhje se qytetarët kanë mbetur pa transport publik.
“Sot është dita e tretë e protestës, reflektim ndoshta ka pak, por mjetet nuk kanë dal në llogarinë për sektorin privat, është fjala, për trafikun urban diku tre muaj ose muaji i tretë tash vjen. Shprehim keqardhje për udhëtarët që sot nuk kanë transport edhe ditën e tretë.”, - theksoi sekretari i shoqatës se sektorit privat të autobusëve, Ismet Haliti.

Protesta kanë organizuar edhe sindikata e të punësuarve në RTK, që kërkojnë nga Qeveria që të gjejë një zgjidhje për pagat e tyre.
“Deri sot nuk kemi një sinjal për zgjidhjen e çështjes së RTK-së. Është e çuditshme për mua dhe të gjithë kolegët në televizion se si mundet Qeveria e Kosovës të gjejë zgjidhje, të ndajë mjete për zgjedhje. Nuk jemi kundër që të gjejnë zgjidhje për KQZ-në dhe tjera, por kur gjejnë zgjidhje edhe për KQZ-në dhe institucione tjera për rëndësi, pse mos të gjendet një zgjidhje edhe për RTK-në. Situata është e rënduar, nuk e di ku do të shkojë më rëndë, ku ndoshta 50 përqindëshi i punëtorëve nuk do të mundin të dalin në punë për t’i kryer punët e tyre.”, - theksoi kryetari i Sindikatës në RTK, Gëzim Bimbashi.
Por, derisa të punësuarit e transportit urban dhe RTK-së protestojnë për pagat e tyre, Lëvizja Vetëvendosje i akuzon partitë opozitare për mosmiratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, buxhetin për Prishtinën dhe disa komuna tjera, si dhe buxheti për RTK-në.
Por, PDK, LDK dhe AAK përgjegjësinë për këtë e hedhin te Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. (Gyltene Sinani, TVM2)
