Ekonomi
Debati parlamentar për buxhetin 2026, refuzohen kërkesat për shkollat shqipe
26.11.2025 15:23
Amendamentet e opozitës shqiptare për ndërtim dhe rikonstruim të shkollave shqipe u refuzuan në komisionin parlamentar...

Amendamentet e opozitës shqiptare për ndërtim dhe rikonstruim të shkollave shqipe u refuzuan në komisionin parlamentar, i cili po debaton buxhetin e vitit 2026. Në mesin e kërkesave ishte ndërtimi i shkollës në Çashkë. Deputeti i ASh-së, Rijad Shaqiri, kërkoi që nga arka e shtetit të ndahen 20 milionë denarë për këtë çështje. Fëmijët aktualisht po ndjekin mësimin në një objekt modular, që sipas Shaqirit nuk premton siguri, nisur nga përvojat me objektet e tilla.
“Shteti është i obliguar të sigurojë mjete financiare për ngritjen e objektit në Komunën e Çashkës, sepse ata 90 fëmijë që mësojnë në atë shkollë, për momentin mësojnë në objekt apo kontejner, që nuk plotëson asnjë kusht elementar për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Rijad Shaqiri.
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se janë ndarë mjete financiare në kuadër të Ministrisë së Arsimit, pasi ekziston dakordim tripalësh midis kryetarit të Komunës së Çashkës, prindërve dhe Qeverisë. Sipas deputetit Zdravkovski, i mbetet kryetarit të komunës që të përshpejtojë procedurat.
“Komuna e Çashkës ende nuk ka përfunduar obligimin që kishte, përpilimin e dokumentacionit teknik, sigurimin e vendit ku do të kishim shkollë. Unë besoj se do të ndërtohet. Nuk shoh arsye për shqetësim, pasi që në këtë rast kemi nënshkrim dhe obligim të trefishtë nga tre palët. Të gjithë duhet të përfshihemi, madje ta nxisni kryetarin e ri të Çashkës, që sa më shpejt të kryejë procedurat.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravkovski.
Jashtë projeksionit buxhetor mbetën edhe kërkesat e opozitës shqiptare për ndërtimin e një shkolle fillore katërvjeçare në Haraçinë, përfundimin e ndërtimit të shkollës në fshatin Sellcë, si dhe renovimin e shkollës “Ismail Qemali” në Gostivar. Ministria e Financave e arsyeton veten se për çështje të tilla, fonde në vlerë prej 75 milionë denarëve për ndërtim të shkollave dhe 50 milionë denarë për rikonstruim do të shkojnë në Ministrinë e Arsimit. Ky dikaster, varësisht projekteve të komunave, do të shpërndajë paratë.
MERAL ISMAILI
