Maqedoni

Sh.F. “Dimo Haxhi Dimov” – Vllae, AUV: Inspektim në kuzhinë

26.11.2025 15:43

U kryhen inspektime të jashtëzakonshme në kuzhinën e Sh.F. “Dimo Haxhi Dimov” - Vllae...

Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Institutin e Shëndetit Publik dhe Qendrën e Shëndetit Publik, po kryejnë një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në kuzhinën për ushqim në Sh.F. “Dimo Haxhi Dimov” - Vllae, pasi kanë marrë një njoftim nga shkolla se një numër më i madh nxënësish kanë dhimbje barku.
 
“Me qëllim të përcaktimit të burimit të mundshëm të helmimit me ushqim, kuzhina e shkollës është përkohësisht e mbyllur. Sipas Protokollit Kombëtar për Veprim, në rast dyshimi për helmim me ushqim, do të zhvillohet një anketë epidemiologjike dhe do të merren mostra nga ushqimi i dyshuar, sipërfaqet e punës, pajisjet dhe makineritë për testim laboratorik. Pas kryerjes së kontrollit, publiku do të informohet për aktivitetet e ndërmarra dhe masat e shqiptuara.”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
 
Drejtoresha e IShP-së, Marija Andonovska, tha se janë marrë brise nga duart, hunda dhe fyti të punonjësve të kuzhinës së shkollës, nga sipërfaqet e punës, si dhe janë marrë mostra ushqimi dhe uji.
 
“Jam në komunikim të vazhdueshëm me njerëzit nga ekipi ynë në Institut. Duhet të theksoj se ekipi ende nuk është kthyer që të mund të marr informacione më konkrete, presim të mbërrijnë. Por, ajo që mund të them është se është vepruar menjëherë sipas të gjitha protokolleve. Janë marrë mostra nga gjithçka që na intereson — brise nga njerëzit që punojnë në kuzhinë, nga duart, fyti dhe hunda. Janë marrë brise edhe nga sipërfaqet e punës, mostra nga ushqimi që kanë konsumuar fëmijët. Me kërkesën tonë morëm edhe mostra nga uji. Bëhet fjalë për analiza që kërkojnë kohë; nuk mund të japim përgjigje menjëherë se për çfarë bëhet fjalë, por mund të them se nëse duhet, do të punojmë gjithë natën për të konstatuar se për çfarë bëhet fjalë.”, - theksoi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (IShP), Marija Andonovska.
 
Drejtoresha e IShP-së shtoi se është në pritje për të parë se çfarë tregojnë anketat epidemiologjike të kryera. Nëse duhet, siç tha Andonovska, do të punohet edhe turni i dytë. Andonovska tha se kanë marrë nëntë raportime për shqetësime në stomak tek fëmijët. Përveç nxënësve, deri tani nuk janë paraqitur simptoma tek punonjësit e shkollës.
 
FITORE DEMOLLI