Maqedoni
Kuvend, reforma thelbësore në rrugën drejt BE-së
26.11.2025 15:51
Maqedonia po humb kohë për shkak të mungesës së vullnetit politik për reforma thelbësore....

Maqedonia po humb kohë për shkak të mungesës së vullnetit politik për reforma thelbësore. Kështu theksoi kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, Venko Filipçe, sipas të cilit është i domosdoshëm një konsensus i gjerë politik për zbatimin e reformave dhe ndryshimeve kushtetuese. Sipas kreut socialdemokrat, Kuvendi është vendi i vetëm ku duhet të arrihet marrëveshja për të ardhmen evropiane të vendit.
“Nëse vazhdojmë kështu dhe kjo ishte pjesë e diskutimit në Këshillin Kombëtar në përbërjen e kaluar, nuk jam i sigurt, ndoshta Bashkimi Evropian do të na kthejë përsëri në nivelin e skriningut. Nuk duhet të jetë i vetmi kusht zgjidhja e problemit bilateral me një nga fqinjët, sepse nuk jemi të përgatitur. Nuk ka asnjë përparim, veçanërisht në përgatitjet për hapjen e klasterëve, sidomos të parë.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, Venko Filipçe.
Edhe zëvendëskryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Igor Zdravkovski, theksoi se nuk duhet humbur kohë aspak në zbatimin e reformave.
“Reformat duhet të vazhdojnë, sepse çdo vonesë ose devijim nga reformat evropiane do të na çojë në një rrugë pa dalje dhe do të thotë vetëm humbje kohe dhe energjie.”, - theksoi zëvendëskryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Igor Zdravkovski.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, theksoi se asnjë çështje bilaterale nuk duhet të bëhet pengesë për përparimin drejt BE-së, duke shtuar se shembujt e Shqipërisë dhe Malit të Zi tregojnë se procesi është real dhe i arritshëm.
“Asnjë çështje bilaterale nuk duhet të pengojë rrugën tonë drejt BE-së. Ne mbetemi të gatshëm për dialog parimor me të gjithë fqinjët. Përparimi i Shqipërisë dhe Malit të Zi tregon se politika e zgjerimit është aktive dhe rajoni mund të ecë përpara; për ne kjo është motivim, jo presion.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Ambasadorja e Holandës, Uzem Zanel, dhe ambasadorja e Sllovakisë, Iveta Hricova, theksuan domosdoshmërinë e reformave, duke kujtuar se vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për të hapur kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE.
“Është shumë me rëndësi gjithashtu të fillohet me zbatimin e reformave të nevojshme në sundimin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe reformat në administratën publike.”, - deklaroi ambasadorja e Holandës, Uzlem Zanel.
“Ne fuqishëm ju mbështesim dhe ofrojmë mbështetje jo vetëm teknike dhe financiare, por edhe përvoja që kemi fituar në rrugën tonë drejt BE-së.”, - theksoi ambasadorja e Sllovakisë, Iveta Hricova.
Konventa Kombëtare u mbajt në Kuvend, ku u diskutua për sfidat rajonale në rrugën drejt Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e deputetëve, ambasadorëve, ekspertëve të drejtësisë dhe përfaqësuesve akademikë nga rajoni.
ARMEND MURSELI
