Maqedoni
Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve thellon dialogun ndëretnik, bëhet shtyllë e proceseve eurointegruese
27.11.2025 14:14
Avancimi i dialogut mes etniteteve jo shumicë dhe zhvillimi i të njëjtës...

Avancimi i dialogut mes etniteteve jo shumicë dhe zhvillimi i të njëjtës edhe me institucionet më relevante të vendit, kanë bërë që RMV, përmes Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, të jetë shembull për rritjen e vlerave ndëretnike në vend, u tha mes tjerash në shënimin e 15-vjetorit të Forumit Participues. Sipas drejtorit të kësaj Agjencie, Dalibor Kitanoviq, ky forum për këto 15 vite të ekzistimit është shndërruar si mekanizmi kryesor për dialog dhe është shndërruar në një mbrojtës të fuqishëm të interesit të etniteteve jo shumicë.
“Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve është themeluar me një mision të qartë, të ndjekë dhe të japë udhëzime në drejtim të realizimit dhe mosdiskriminimit të etniteteve jo shumicë, e të cilat janë nën 20 për qind. Të jetë garantues se çdo etnitet në vendin tonë, pa marrë parasysh numrin e tyre në vend, të kuptojnë se ka institucion i cili i mbron dhe i dëgjon. Agjencia jonë është një nga shtyllat kryesore e stabilitetit dhe kohezionit ndëretnik. Ndërsa sot ky institucion është edhe vegla kryesore në procesin eurointegrues, sepse pikërisht respektimi i të drejtave të etnive jo shumicë, kohezioni ndëretnik dhe barabarësia janë kërkesat bazë të Bashkimit Evropian.”, - deklaroi drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve (ARDK), Dalibor Kitanoviq.
Nga ana tjetër, ministri për Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, theksoi se rezultatet në këtë institucion janë të kënaqshme.
“Rezultatet janë të dukshme për faktin se themeluam edhe Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila do të ndihmojë edhe më tepër kohezionin ndëretnik. Ne tanimë kemi themeluar edhe strategji për të drejtat e etniteteve në vend, i cili do t’u mundësojë të gjitha etnive qasje të drejtë në fondet e shtetit, në drejtim të promovimit të vlerave tona evropiane dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit.”, - theksoi zëvendësi i kryetarit të Qeverisë dhe ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq.
Edhe përfaqësuesit e OSBE-së në Shkup theksuan nevojën e vazhdimit të punës së këtij institucioni dhe të gjithë faktorëve tjerë në vend, me qëllim që të gjitha komunitetet në vend t’i gëzojnë të drejtat e garantuara.
“Tek ju shohim një partner të fuqishëm për përhapjen e dialogut mes bashkësive etnike, rritjes së kapaciteteve demokratike të vendit në këtë drejtim dhe rritjen e kohezionit ndëretnik në vend. Këto 15 vite janë tregues se puna e juaj duhet të vazhdojë në të mirë të komuniteteve të vendit.”, - u shpreh zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Suzan Penksa.
Në shenjë falënderimi, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, u ndau mirënjohje personaliteteve të cilët kanë dhënë kontribut të pashoq në rritjen e këtij institucioni.
FITIM KRYEZIU
