Botë

Digjen disa ndërtesa në Hong Kong, 55 viktima dhe dhjetëra në gjendje kritike

27.11.2025 14:28

Rritet numri i viktimave pas shpërthimit të zjarrit vdekjeprurës në Hong Kong....

Rritet numri i viktimave pas shpërthimit të zjarrit vdekjeprurës që përfshiu kompleksin banesor në lagjen periferike Tai-Po të Hong Kongut. 55 viktima janë regjistruar deri tani, dhjetëra të plagosur vazhdojnë të jenë në gjendje kritike dhe rreth 280 persona raportohen ende të zhdukur. Zjarri është vënë nën kontroll, por shuarja e plotë mund të zgjasë gjatë gjithë ditës. Operacionet e shpëtimit vazhdojnë luftën me flakët dhe kërkimin e të mbijetuarve.
 
“Temperatura në vendngjarje është ende shumë e lartë dhe kemi vështirësi të ngjitemi drejt kateve të sipërme të dy ndërtesave. Presim që operacioni ynë të zgjasë të paktën deri në mbrëmje.”, - theksoi zjarrfikësi, Derek Armstrong Chan.
 
“Sa i përket viktimave, shumë prej tyre kanë humbur jetën nga djegiet e thella, por edhe helmit nga thithja e tymit. Qindra persona janë në gjendje kritike.”, - u shpreh Chu Uing-Yin nga Ndihma e Shpejtë.
 
Kompleksi ishte në proces rinovimi kur shpërtheu zjarri dhe shkaku i vërtetë nuk dihet, por hetimet zhvillohen në terren. Policia dyshon se materialet e punimeve ndërtimore kontribuuan në përhapjen e shpejtë të flakëve. Janë arrestuar tre persona nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia, dy drejtorë të një kompanie ndërtimi dhe një konsulent inxhinierik.
 
“Në një nga ndërtesat që nuk u përfshi nga zjarri, gjetëm material izolues të vendosur jashtë dritareve të çdo kati pranë ashensorit. Ky material është lehtësisht i djegshëm dhe mund të ketë rritur shpejtësinë e përhapjes së zjarrit. Dyshojmë se kjo mund të jetë një nga arsyet pse flakët u përhapën kaq shpejt.”, - deklaroi zyrtarja e lartë e Policisë së Hong Kongut, Aileen Chung.
 
Qyteti pezulloi të gjitha fushatat zgjedhore për t’i dhënë prioritet operacioneve të shpëtimit, ndërsa shkollat përreth janë mbyllur.
 
“Do të ofrojmë çdo mbështetje të mundshme. Falë punës së palodhur të zjarrfikësve, situata është vënë nën kontroll. Prioriteti më i madh tani është shuarja e plotë e zjarrit dhe shpëtimi i banorëve të bllokuar. Detyra e dytë është trajtimi i të plagosurve, e treta menaxhimi i pasojave, dhe më pas do të kryejmë një hetim të gjithanshëm.”, - theksoi drejtori ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee Ka-Chiu.
 
Rreth 900 banorë të prekur nga tragjedia u evakuuan përkohësisht në strehimore. Ata thonë se fatkeqësia mund të ishte shmangur.
 
“Isha jashtë kur mora telefonatën nga familja ime dhe u ktheva menjëherë. Banorët e tjerë më thanë se alarmi kundër zjarrit nuk po funksiononte.”, - tha banori i Tai Po-së në Hong Kong, Yavan Leung.
 
“Gruaja ime është ende në apartament. Kur shpërtheu zjarri, i thash në telefon të ikte me vrap. Por, korridori dhe shkallët ishin mbushur me tym dhe ajo nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të kthehej mbrapsht.”, - u shpreh banori i Tai Po-së në Hong Kong Laurence Lee.
 
Bota ka shprehur ngushëllime për tragjedinë. Mesazhe solidariteti kanë mbërritur nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Ky është një nga zjarret më të rënda të klasifikuara në nivelin e pestë të alarmit që ka goditur qytetin në 17 vitet e fundit.
 
FARIJE DAUTI BAKIU