Maqedoni
Parandalimi i dhunës në familje, Acevski: Masat nuk janë mjaftueshëm efikase
27.11.2025 14:44
Masat e marra për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna gjinore nuk janë mjaftueshëm efektive...

Përfundimi i Raportit të Auditimit mbi zbatimin e Konventës së Stambollit tregon se masat e marra për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna gjinore nuk janë mjaftueshëm efektive, tha auditori shtetëror, Maksim Acevski, në ngjarjen me rastin e publikimit të Raportit Përfundimtar të Auditimit mbi Performancën me temën “Zbatimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit)”. Në vend janë regjistruar rreth 6.282 raste të dhunës gjinore dhe në familje, nga të cilat mbi 60 për qind përfshijnë lëndime fizike dhe rreth 30 për qind janë kërcënuese për jetën. Acevski pret që rekomandimet nga raporti të jenë baza për përmirësimin e sistemit dhe uljen e numrit të rasteve.
“Nga vetë përfundimi i raportit të auditimit, mund të shihet se përfundimi është negativ, d.m.th. masat dhe aktivitetet e ndërmarra për t’u mbrojtur nga dhuna në familje dhe dhuna gjinore nga shteti nuk janë mjaftueshëm efektive. Prandaj, duhet të merren masa shtesë për të rritur efektivitetin e tyre. Ne duhet të ndërtojmë një kulturë parandalimi, sepse parandalimi është më i rëndësishëm sesa masat represive.”, - deklaroi auditori shtetëror, Maksim Acevski.
“Në botë një në tre gra përjeton dhunë fizike ose seksuale. Kjo konventë bazohet në dinjitet, unitet dhe drejtësi. Ajo që e bën konventën kaq të rëndësishme është qasja e saj gjithëpërfshirëse, duke u përqendruar në parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave, ndëshkimin e autorëve dhe sigurimin që qeveritë të zbatojnë politika të qarta.”, - theksoi ambasadori i Zvicrës në RMV, Kristof Zomer.
Sipas strategjisë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna gjinore 2018–2023, nga 52 aktivitetet e planifikuara, 48 për qind janë zbatuar, 32 për qind nuk janë zbatuar dhe 18 për qind janë zbatuar pjesërisht. Konventa e Stambollit u miratua në vitin 2011, u ratifikua në vitin 2017 dhe ndryshimet në Kodin Penal u bënë vetëm në vitin 2023.
VLORA LATIFI TOPOJANI
