Rajon
Reshjet e dendura në Shqipëri, dëme të mëdha në infrastrukturë dhe bujqësi
27.11.2025 15:13
Reshjet e ditëve të fundit kanë lënë pasoja të rënda në infrastrukturë e bujqësi....

Në Kolonjë, banorët janë ngritur në protestë, pasi ura automobilistike është dëmtuar, duke lënë në izolim 10 fshatra. Protestuesit thanë se kanë në shtëpi të sëmurë që presin ndihmë, por mungesa e një rruge ka bërë që të mbeten pa asnjë shërbim.
Të izoluar janë edhe banorët e gjashtë fshatrave në Dropull, pasi është shembur ura ne aksin Glinë–Nepravishtë. Banorët detyrohen të lëvizin në këmbë përmes rrugëve alternative, ndërsa emergjencat ende nuk kanë ndërhyrë për riparimin e urës.
Në qarkun e Beratit situata është përkeqësuar këtë të enjte. Reshjet intensive të shiut kanë bërë që të dalë nga shtrati lumi Osum dhe Seman, duke përmbytur serat.
Në Krujë, lumi Ishëm ka dalë nga shtrati, duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore. Prurjet janë shtuar edhe në Vjosë, duke arritur nivelin 7.55 metra. Situata po mbahet në monitorim, pasi lumi ka dalë pjesërisht nga shtrati edhe në Novosellë.
LULJETA NDOKA
