Botë
ShBA, u plagosën dy ushtarë të gardës, u pezulluan kërkesat për imigracionin nga afganët
27.11.2025 15:28
ShBA-ja ka pezulluar përkohësisht përpunimin e të gjitha kërkesave për imigrim nga afganët...

ShBA-ja ka pezulluar përkohësisht përpunimin e të gjitha kërkesave për imigrim nga afganët, pasi një shtetas afgan u identifikua si i dyshuar për sulmin me armë ndaj dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë. Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit thanë se vendimi u mor, ndërsa rishikohen protokollet e sigurisë. I dyshuari raportohet të ketë mbërritur në ShBA në shtator të vitit 2021. Presidenti Donald Tramp e cilësoi sulmin si “akt terrori” dhe paralajmëroi masa për largimin e të huajve që, sipas tij, “nuk i përkasin këtij vendi”.
"Tani duhet të rishqyrtojmë çdo të huaj që ka hyrë në vendin tonë nga Afganistani nën udhëheqjen e Bajdenit dhe duhet të marrim të gjitha masat e nevojshme për të siguruar largimin e çdo të huaji nga çdo vend që nuk i përket këtu ose nuk i sjell përfitim vendit tonë. Nëse ata nuk mund ta duan vendin tonë, ne nuk i duam.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare që u qëlluan pranë Shtëpisë së Bardhë janë në gjendje kritike. Ndërsa autori është arrestuar.
“Brenda pak çastesh, forcat e tjera të rendit mbërritën dhe ndihmuan në arrestimin e tij. Aktualisht, siç u përmend, anëtarët e Gardës po trajtohen në një spital lokal dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore.”, - theksoi zëvendësshefi i Policisë, Xhef Karroll.
Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, për sigurinë e komunitetit ka urdhëruar vendosjen e 500 pjesëtarëve të tjerë të Gardës Kombëtare në Uashington.
“Do ta sigurojmë kryeqytetin tonë, qytetet tona. Do t’i kërkoj sekretarit të Ushtrisë dhe Gardës Kombëtare të shtojmë edhe 500 gardistë në Uashington. Kjo vetëm do ta forcojë vendosmërinë tonë për ta bërë qytetin të sigurt dhe të bukur. Rënia e kriminalitetit dhe sigurisë ka qenë historike. Por, nëse kriminelët duan të kryejnë akte të tilla dhune ndaj pjesëtarëve më të mirë të Amerikës, ne nuk do ta lejojmë më.”, - u shpreh sekretari amerikan i luftës, Pet Hegset.
Dhjetëra mijëra afganë hynë në ShBA pas tërheqjes së vitit 2021 nën programet speciale të imigracionit. I dyshuari, Rahmanullah Lakamal nga Afganistani, aplikoi për azil në vitin 2024 dhe kërkesa e tij u miratua këtë vit.
FARIJE DAUTI BAKIU
