Maqedoni

Pyetje deputetësh, Mickoski për pensionet: Rritje lineare s’do të ketë më, shkak, kushtetuesja

27.11.2025 15:48

Në seancën pyetje të deputetëve, kryeministri Mickoski tha se informacionet e tij flasin se Gjykata Kushtetuese...

Në seancën pyetje të deputetëve, kryeministri Mickoski tha se informacionet e tij flasin se Gjykata Kushtetuese, ka sjellë vendim për shfuqizimin e rritjes lineare të pensionistëve. Sipas tij, nga aspekti i ngarkesës fiskale, buxheti do të japë më pak para, por nga aspekti i drejtësisë, nuk është  e drejtë, tha ai, duke shtuar se shumica e disa pensionistëve me të ardhura më të ulëta janë rezultat i kohës së tranzicionit, kur disa oligarkë e privatizuan ose e grabitën ekonominë e vendit. 
 
“Pensionistët nuk do të marrin më rritje lineare të pensioneve, por  në harmoni me përqindjet e vërtetuara me ligjin, i cili më herët ka qenë i fuqishëm. Dhe kjo, vetëm sa për informacion, nënkupton se 70% e pensionistëve nga muaji i ardhshëm do të marrin më pak pension, për shkak të kësaj iniciative të kësaj gjykatëse që është pjesë e Gjykatës Kushtetuese.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Micksoki. 
 
Gjykata Kushtetuese me komunikatë: S’kemi vendim final për lëndën
 
Pas deklaratës së Mickoskit, me komunikatë doli Gjykata Kushtetuese. Sipas këtij organi, ende nuk është marrë vendim përfundimtar për lëndën që trajton ndryshimet në Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor.
 
“Gjykata Kushtetuese informon se ende nuk është marrë vendim përfundimtar për lëndën nr.13/2025, që ka të bëjë me nenin 2 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor, me të cilin rriten pensionet (i njohur në opinion si rritja lineare). Gjykata thekson se në seancën e 24-të të mbajtur më 19.11.2025, me shumicë votash, ka shprehur dyshim për kushtetutshmërinë e nenit 2 të Ligjit. Aktualisht është në vijim faza e dytë e procedurës, në të cilën kërkohen mendime nga propozuesi dhe nga hartuesit e Ligjit, pas së cilës do të pasojë vendimi përfundimtar. Publiku do të njoftohet kur kjo lëndë të vendoset në rend dite për votim.”. 
 
Fondi Pensional, përplasje pozitë – opozitë
 
Për situatën me arkën e Fondit Pensional u përplasën deputetët pozitë dhe opozitë. 
 
“Gjendja me fondin pensional është shqetësuese. Para për pagesën e pensionit të dhjetorit nuk ka, as në buxhetin e Ministrisë për Punë Sociale e as në Fondin Pensional.”, -  deklaroi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
 
“Mos mbillni frikë se fondi është para kolapsit, se nuk do të ketë pensione më 1 dhjetor. Të gjitha këto janë gënjeshtra dhe do të demantohen për disa ditë kur të paguhen pensionet.”, - theksoi zëvendësministri për Punë Sociale, Gjoko Vellkovski. 
 
Deputetët të interesuar edhe për gjyqësorin, Mickoski: Kërkesat e tyre s’i mbulon buxheti
 
Deputetët në seancë, të interesuar edhe për situatën me reformat gjyqësore dhe kërkesat e punonjësve të jurisprudencës.
 
“Për çfarë rritje pagash ju qeveri jeni të gatshëm t’ju realizoni? Normalisht, duke e parë nga prizmi se çfarë rezultatesh shënojnë ata dhe sa qytetarët janë të kënaqur nga ata?”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
 
Duhej të kishte buxhet prej 8 - 9 miliardë euro për t’i plotësuar kërkesat e gjykatësve dhe prokurorëve, u përgjigj kryeministri, Mickoski.
 
“Nuk kemi para aq sa kërkojnë, sepse së pari disa nuk meritojnë, dhe, e dyta, atë që do ta sigurojmë që planifikojmë ta japim, do të jetë e mjaftueshme që të kenë paga dinjitoze. Nëse krijohen kushte, nëse lejon konsolidimi buxhetor të cilën na e kërkojnë institucionet ndërkombëtare financiare, dhe nëse lejohen kushtet, ne nuk e  kemi problem edhe  për paga më të mëdha. Ja, pak janë 3.000 euro, le të jetë 5.000, 10.000, 50.000.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Situata në Klinikën e Tetovës, Ajdari: I lënë anash, nuk investohet
 
Në mungesë fizike të ministrit të Shëndetësisë, nga BDI-ja pyetje me shkrim drejtuan për udhëheqësin e dikasterit në fjalë. Deputetja Rina Ajdari kërkon llogari për mungesën e investimeve në spitalin klinik të Tetovës, rikonstruimin e repartit të pediatrisë, sallave operative dhe furnizimin me aparatura mjekësore.
 
“Spitali klinik i Tetovës trajtohet si çështje dytësore, pa vëmendjen dhe prioritetin që e meriton.  Kjo qasje reflektohet me vonesat e pajustifikuara, mungesë të investimeve dhe procese të paqartësuara në proceset e punësimeve të kuadrove mjekësore. Ky spital është jo vetëm qendër rajonale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, por edhe një pikë referimi për përgatitjen e kuadrove të rinj mjekësor.”, - theksoi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.
 
Deputetja Ajdari adresoi pyetje edhe ndaj ministrit të Ekonomisë dhe Kulturës. Nga ky i fundit kërkoi përgjigje për projektin lidhur me teatrin dhe bibliotekën e Tetovës, duke shprehur shqetësim se është hequr nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU