Botë
Krime, zbulim i një anije nga periudha bizantine
28.05.2015 10:41
Një grup zhytësish rusë thonë se kanë zbuluar mbetje të një anijeje në Detin e Zi, për të cilën dyshojnë se daton që nga epoka bizantine...

Udhëheqësi i ekspeditës ka thënë në një deklaratë të publikuar më 27 maj se mbetjet janë zbuluar në afërsi të Sevastopolit në Krime.
Krimeja është gadishull në Ukrainë, të cilën Rusia e ka aneksuar në mars të vitit 2014.
Deklarata e shefit të zhytësve rusë, Roman Dunayev, dhe historianit nga Akademia ruse e Shkencave, Viktor Lebendisky, thotë se “studimet e mëtejme mbi anijen do të ndihmojnë të konfirmohet veçantia e lidhjeve tregtare, ekonomike dhe kulturore ndërmjet vendeve të Detit të Zi”.
Hulumtuesit thonë se duhet të saktësojnë datën e artefakteve dhe të realizojnë edhe zhytje të tjera për qëllime hulumtimi muajin e ardhshëm.
Pamjet e shfaqura në televizionin shtetëror nga një zhytje e mëhershme në muajin maj tregonin disa ampfora të mbledhura – vazo me dy mbajtëse anash.
Rajoni bregdetar i Krimesë njihet si vend i banuar nga grekët në kohën e Perandorisë Bizantine dhe Sevastopoli thuhet të ketë qenë një nga rrugët kryesore për tregti.
