Rajon
Festohet 28 Nëntori - Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë
28.11.2025 09:35
Sot shënohet 113 vjetori nga Pavarësia e Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit....

Shqipëria sot feston 113-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Dita e 28 Nëntorit për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen njihet si Dita e Flamurit.
Akti i shpalljes së pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës. Shpallja e pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.
Në nder të festës së 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit, sot organizohen aktivitete të ndryshme si në Maqedoni të Veriut, Kosovë e Shqipëri.
