Rajon
Vlorë, ceremonia e ngritjes së flamurit
28.11.2025 11:45
Në Vlorë ka nisur ceremonia e ngritjes së flamurit...

Në Vlorë ka nisur ceremonia e ngritjes së flamurit, ku mori pjesë kryeministri Edi Rama, presidenti Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Një kurorë me lule u vendos nga kryeministri Edi Rama në vendprehjen monumentale të Ismail Qemalit, në nderim dhe respekt të sakrificave për idealin e një Shqipërie të lirë dhe të pavarur. Shumë shqiptarë të Kosovës janë mbledhur në qytetin ku u ngrit flamuri për të festuar Ditën e Pavarësisë. Qindra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar festat kombëtare. Të ardhur me mjete private, por edhe të organizuar në grupe të mëdha, shumica prej tyre kanë kaluar nëpër pikën kufitare të Morinit, e cila sot ka shënuar fluks të lartë udhëtarësh.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Morinit janë futur 64 autobusë, ndërsa në total kanë hyrë 17.789 shtetas dhe 4.651 automjete. Autoritetet kufitare thonë se fluksi është i pritshëm për shkak të festave dhe se menaxhimi po kryhet pa vonesa. Për të përballuar numrin e madh të hyrjeve dhe daljeve, në Morinë janë vënë në funksion 10 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, duke bërë të zbatueshme marrëveshjen e lëvizjes së lirë mes dy vendeve.
Për këtë ditë të shënuar Shqipëria ka marrë urime edhe nga sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio.
