Maqedoni

Komuna e Likovës, program festiv me rastin e 28 Nëntorit

28.11.2025 14:04

Në Pallatin e Kulturës në fshatin Mateç të Likovës u shënua dita e pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori....

Me program të pasur kulturor-artistik, kombëtar, në Pallatin e Kulturës në fshatin Mateç të Likovës, në përkujdesje dhe organizim të kreut të Komunës së Likovës, Erkan Arifi, u shënua dita e pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori. Përmes fjalimeve, recitimeve e këngëve patriotike, të pranishmit në sallë rikujtuan të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë.
 
“Përshëndes familjet e dëshmorëve, ata të cilët dhanë gjakun dhe ia shtuan ngjyrën flamurit kuq e zi. Të nderuar invalid të luftës, të nderuar ju, ish-ushtarë, që me sakrificën tuaj mbrojtët flamurin kombëtar shqiptar. Është nder dhe krenari për mua të flas në këtë ditë të madhe, kemi nderin që kemi lindur dhe jetojmë në Komunën e Likovës, komunë e cila çdo herë ka ditur t’i mbrojë vlerat kombëtare dhe e cila asnjëherë nuk e la flamurin kombëtar të bie në tokë edhe atëherë kur çmimi i tij ishte jeta.”, - u shpreh ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Zekirija Shahini.
 
“Historia dhe të drejtat e popullit shqiptar nuk u fituan me rrugët e shtruara me lule, por u fituan me gjak, djersë, sakrificë dhe me gjithçka nga vetja e popullit shqiptar. Banorët e komunës sonë e dinë më së miri se çka do të thotë të sakrifikosh për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar.”, - tha mes tjerash kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi. 
 
Ndryshe, gjatë tërë javës, nga 22 nëntori në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe janë mbajtur aktivitete me moton “Festat e nëntorit”.  
 
FATLUM AQIFI