Maqedoni

Rasti “Onkologjia 2”, vazhdon dëgjimi i dëshmitarëve

28.11.2025 14:14

Në seancën dëgjimore për rastin “Onkologjia 2” në Gjykatën Themelore Penale në Shkup...

Në seancën dëgjimore për rastin “Onkologjia 2” në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ku të pandehur janë ish-drejtori mjekësor i Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, dhe drejtori ekonomik, Nehad Nuhi, u dëgjua dëshmitarja e radhës Snezhana Cvetkovska, një e punësuar në këtë Klinikë. Ajo para gjykatës tha se ka pasur marrëdhënie korrekte me ish-drejtorin Vasev, por me kalimin e kohës këto marrëdhënie janë ftohur.  Sipas saj, situata kulmoi në fillim të vitit 2020, kur ajo ishte infektuar më virusin Corona dhe kishte shkuar në pushim mjekësor tre javor. Ajo më tej shtoi se kur është kthyer nga pushimi mjekësor, kompetencat defakto i ishin marrë, edhe pse de-jure, ajo nuk kishte pranuar kurrfarë dokumenti që i merren kompetencat. Ajo për këtë i ishte drejtuar edhe me letër zyrtare arkivit të Klinikës, për të kërkuar shpjegime. Por, nga pala mbrojtëse e të akuzuarit të parë, Nino Vasev, kjo përbën keqpërdorim të dëshmitarëve.
 
“Kanë sjell dëshmitar si këtë udhëheqësen e kontabilitetit, ku bashkëshorti i saj punon në farmacinë më të madhe, respektivisht tek Farmacia Dr. Panovski, e cila farmaci e ka pajisur Klinikën, dhe ajo si udhëheqëse e kontabilitetit ka qenë insistuese që pagesat për këto shërbime të paguhen menjëherë në drejtim të kësaj farmacie. Pastaj ajo ishte shkarkuar nga kjo detyrë, sepse është evidente se aty tanimë kishte konflikt interesash dhe pikërisht tani, ajo flet gjithçka të keq për Dr.Vasevin, se gjoja u ka marrë të holla pacientëve, se i ka zgjedhë pacientet vetëm ato që kanë para, se nuk ka qenë human në drejtim të pacientëve, pra thjesht gjithë këtë mllef e kishte vetëm për shkak se e kanë shkarkuar nga pozita.”, - deklaroi avokati, Bobi Spirovski.
 
Sipas aktakuzës, ish-drejtorët Vasev dhe Nuhiu, në periudhën 2018–2022 kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me gati 36 milionë euro. Të dy mohojnë fajësinë dhe pretendojnë se aktakuza është e sajuar politikisht. Përveç "Onkologjia 2", është duke u zhvilluar edhe gjyqi "Onkologjia 1" kundër Vasevit dhe dy mjekëve të tjerë për trajtim neglizhent të pacientëve.
 
FITIM KRYEZIU