Rajon

Vlorë, manifestimi qendror për festën e 28 Nëntorit

28.11.2025 14:28

Vlora u bë kryeqendra e festimeve dhe kremtimit të 113-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë...

Si çdo 28 Nëntor, Vlora u bë kryeqendra e festimeve dhe kremtimit të 113-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht aty ku flamuri kuq e zi u valëvit për herë të parë i lirë e i pavarur. Festa e Flamurit bëri bashkë krerët më të lartë të shtetit nga Shqipëria e Kosova, të cilët morën pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit nën tingujt e himnit kombëtar.
 
Ceremonia vijoi me nderimet në vendprehjen monumentale të Ismail Qemalit, ku kryeministri Rama, presidenti Bajram Begaj dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosën kurorat me lule.
 
Presidentja Vjosa Osmani ishte këtë vit përfaqësuese e shtetit të Kosovës, ndërsa u vu re mungesa e kryeministrit Albin Kurti.
 
Urimin zgjodhi ta bënte përmes rrjeteve sociale:  
“Sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!”, shkroi Kurti në postimin e tij.
 
Edhe këtë vit nuk munguan qytetarë të Kosovës që u bënë pjesë e festimeve.
 
Atmosferë festive pati në të gjithë Shqipërinë. 28 Nëntori i Pavarësisë është një ditë reflektimi dhe një kujtesë e përhershme për vlerat e lirisë, unitetit dhe identitetit që vijojnë të udhëheqin aspiratat e Shqipërisë.
 
LULJETA NDOKA